Sondazhi i KDI-së tregon se kush duhet ta udhëheqë dialogun

Sondazhi i KDI-së tregon se kush duhet ta udhëheqë dialogun

04.07.2018 12:51:25

Violeta Haxholli nga KDI ka bërë të ditur se sa i përket pyetjes drejtuar qytetarëve të Kosovës se çfarë presin ata që të përmbajë marrëveshja përfundimtare në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, 61% e tyre kanë deklaruar se presin që kjo marrëveshje të përmbajë njohjen shtetit të Kosovës nga Serbia, 56% anëtarësimin e Kosovës në OKB, 22% shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, 25% autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës.

Bazuar në sondazh, Haxholli ka thënë se 97% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të pranonin që rezultati i bisedimeve të fazës finale të jetë njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Ndërkaq të gjithë qytetarët nga komuniteti shqiptarë e pranojë këtë opsion kurse 91% të komunitetit serb kanë deklaruar se nuk do të pranonin njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Jeta Krasniqi nga KDI potencoi se në pyetjen se kush duhet të udhëheqë grupin negociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë, 44% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se duhet ta udhëheqë presidenti Hashim Thaçi, 31% e tyre mendojnë se duhet ta udhëheqin liderë nga opozita dhe 25% janë të mendimit se grupin negociator në bisedime me Serbinë duhet ta udhëheqë kryeministri i Kosovës.

Në pyetjen se a mendojnë qytetarët e Kosovës se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do ta largojë përfundimisht ndikimin e Serbisë nga Kosova, Krasniqi ka bërë të ditur se 48% e të anketuarve mendojnë se kjo nuk do të ndodhë me marrëveshjen përfundimtare.

Krasniqi ka theksuar se qytetarët janë pyetur nëse do të votonin në rast se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme. 45.3% kanë thënë se do të votonin definitivisht, 29.8% ndoshta do të votonin, 6.9% me gjasë nuk do të votonin, 8.8% definitivisht nuk do të votonin, 3.2% kanë deklaruar se nuk e dinë dhe 6.1% kanë refuzuar të kthejnë përgjigje.

Të pyetur se për cilën parti politike do të votonin, vetëm nga votat e deklaruara 30.8% kanë dhënë se do të votonin për Lidhjen Demokratike të Kosovës, 23% për Partinë Demokratike të Kosovës, 21.2% për Lëvizjen Vetëvendosje,  10.4% për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, 6.3% Nisma Socialdemokrate, 2.4% Partia Socialdemokrate, 2% Lista Serbe dhe 4.1% të tjera, ndërsa 11.6% e të anketuarve kanë refuzuar të përgjigjen në këtë pyetje.