Sonte Kosova-Islanda, yjet tonë synojnë fitoren e parë

24.03.2017 10:45:43

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, sonte në orën 20:45, përballet me Islandën në ‘Loro Boriçi’, në kuadër të eliminatorëve për Kupën e Botës ‘Rusi 2018’.

Kosova në këtë takim vjen pas barazimit me Finlandën, dhe tri humbjet radhazi, kundër Kroacisë, Ukrainës dhe Turqisë.

Përfaqësuesja jonë ka tri ditë që është grumbulluar për këtë ndeshje të rëndësishme. Sulmuesi Besart Berisha, Atdhe Nuhiu e Donis Avdijaj janë lojtarët që për herë të parë do të veshin fanellën e shtetit më të ri në botë, edhe pse për Avdijajn akoma është në dilemë paraqitja e tij për shkak të procedurave të UEFA-së, transmeton KosovaPress.Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku është i vetëdijshëm se do të përballet më një skuadër të fortë, por ai beson se Kosova ka një të ardhme shumë të mirë.

“Jemi të përgatitur. Mendoj se pjesa dërrmuese e lojtarëve janë në formë shumë të mirë dhe shpresoj se kjo do të reflektohet edhe në lojë. Ka ardhur që edhe Kosova të fitojë. Gradualisht është në ngritje dhe prej lojës në lojë, ku kemi bërë performanca më të mira. Dhashtë zoti që kemi fat me Islandën dhe unë jam shumë i bindur se Kosova është në ngritje dhe ka një të ardhme shumë të mirë”, ka thënë Bunjaku.

Sot pasdite pritet që qytetit i Shkodrës të ‘pushtohet’ nga tifozët e Kosovës, të cilët pritet të jenë lojtari i 12-të i përfaqësueses sonë.