Sot ka ndërruar jetë Jacques Chirac, mik i Rugovës e i Kosovës

26.09.2019 17:51:07

Presidenti Jacques Chirac (Zhak Shirak) që ka qenë në krye të shtetit francez në kohën e luftës së Kosovës.

Nga Muhamet HAMITI

Në adresime të rregullta para francezëve e botës, Jacques Chirac fliste gjatë pranverës së vitit 1999 për “barbarinë serbe” kundër popullit të Kosovës.

Presidenti Chirac kishte pritur zyrtarisht Presidentin Ibrahim Rugova para lufte, të cilit i jepte përkrahje për politikën e tij për Kosovën.

Kur ndërroi jetë Presidenti Ibrahim Rugova, në janar të viti 2006, Presidenti Chirac dha këtë mesazh: “Franca i bën homazhe rolit historik dhe kurajos politike që motivonin Ibrahim Rugovën që t’i mbronte të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe të punonte për paqen e pajtimin në rajon.”

Duke njohur kontributin e Chirac-ut për lirinë e Kosovës, më 12 qershor 2004, në Ditën e Lirisë së vendit tonë, Presidenti Rugova e ka dekoruar Presidentin Chirac me Medaljen e Artë të Lirisë.

Kosova e pavarur do të nderojë kujtimin për miqtë si Presidenti Chirac, që i dolën krah popullit tonë në orët e liga të barbarisë serbe.