Sot nis punën Gjykata Speciale

05.07.2017 09:33:55

Gjykata Speciale për krime të pretenduara të luftës në Kosovë, që nga sot pritet të nis punën e saj, pas miratimit të rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila u bë javën e kaluar.

Gjykata Speciale në një përgjigje për Indeksonline, ka thënë se tani janë duke pritur që të arrijnë aktakuzat e para nga prokuroria speciale.

“Me hyrjen në fuqi të Rregullores javën e kaluar, nga dita e sotme nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Miratimi i rregullores së Procedurës dhe të Provave është edhe hapi i fundit ligjor që Gjykata të bëhet plotësisht funksionale dhe të nisë punën e saj.

Gjykata Speciale e cila u formua me votat e deputetëve të Kuvendi të Kosovës, do të gjykoj vetëm krimet e pretenduara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.