Spanja e Portugalia luajnë sot fatet e kualifikimit, Uruguai për goleadë

20.06.2018 10:06:06

Spanjë, Portugali dhe Uruguai, janë këto 3 skuadrat e mëdha që do të zbresin në fushë në ditën e 7-të të Botërorit, Rusi 2018. Dita do të hapet me takimin ndoshta më inteteresant atë që do të zhvillohet në Luzhniki Arena në stadiumin ku u luajt ndeshja hapëse dhe ku do të luhet finalja, atë mes Portugalisë dhe Marokut.

Të dyja këto përfaqësuese vinë me humore të ndryshme në këtë sfidë. Portugalia arriti një barazim të vuajtur ndaj Spanjës në ndeshjen debutuese për meritë të Cristiano Ronaldo që bëri fenomenin e vërtetë duke realizuar një tre golësh, ndërkohë që Maroku bëri vetëvrasje ndaj Iranit teksa me një autogol në fund doli pa pikë nga ajo sfidë. Portugali-Marok është edhe një lloj derbi i vogël pasi të dyja vendet janë shumë afër me njëra-tjetrën.

Afrikanët luajnë sot shansin e fundit për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin, ndërsa Portugalia duhet ta fitojë këtë sfidë për të përfituar sa më shumë nga përballja direkte mes Iranit dhe Spanjës. Fernando Santos pritet të bëjë nja dy ndryshime të vogla në formacion krahasuar me ndeshjen ndaj La Rojas, teksa Joao Mario dhe Andre Silva do ta nisin sfidën që nga fillimi duke ulur në stol Bruno Fernandes dhe Goncalo Guedes.

Nga grupi B tek grupi A, në orën 17:00 në Rostov Arena, Uruguai 2-herë kampion bote, do të synojë të mposhtë me çdo kusht Arabinë Saudite për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në ruandin tjetër për të diskutuar në takimin e fundit vendin e parë në grup me Rusinë.

Sot parashikohet të jetë dita e dyshes Cavani-Suarez. Përballë një Arabie Saudite që konsiderohet një skuadër shumë e dobët dy sulmuesit kanë shansin ideal për të gjetur rrugën e rrjetës. Në orën 20:00 në Kazan Arena do të jetë radha e Spanjës. 1-herë kampionët e botës do të sfidojnë Iranin, në një sfidë direkte për vendin e parë në grup që aktualisht në mënyrë surprizuese mbahet nga përfaqësuesja aziatike.

Tashmë jehona e largimit të Lopeteguit ka përfunduar dhe Spanja është totalisht e fokusuar te ndeshja nga Iranit ky ka vetëm një objektiv të marrë tre pikët. Me një Diego Costa në superformë por edhe lojtarë të shkëlqyer pas sulmuesit të Atleticos së Madridit si Iniesta, Isco e Koke, misioni pritet të jetë më i thjeshtë për La Rojan.