Specialja s’është dashur t’i bashkëngjitet nivelit kushtetues

10.09.2016 16:37:31

Dhomat e Specializuara për krime të luftës, të dizajnuara nga Bashkimi Evropian, nuk është dashur t’i bashkëngjiten edhe nivelit kushtetues. Ndonëse gjyqtarë e njohës të çështjeve kushtetuese pranojnë se kjo erdhi si pasojë e mosbesimit në institucionin e Gjykatës Kushtetuese, ata thonë se Dhoma e Specializuar në nivelin kushtetues do të ketë fare pak punë

Rasti i dhomave të  specializuara për krimet e luftës është njëri nga vendimet më kontroverse në historinë e Gjykatës Kushtetuese. Të paktën kështu është konstatuar nga Grupi për studime juridike e politike.

Dren Ajeti nga kjo organizatë shpjegon se në kuadër të Gjykatës Kushtetuese do të vendoset një “dhomë e specializuar” e  cila do të merret pikërisht me çështjet që trajton Gjykata Kushtetuese.

“Të akuzuarit do të kenë mundësi që të bëjnë ankesë individuale karshi “gjykatës kushtetuese” për shkelje të mundshme që mund t’ju bëhen. Ata mund të thirren në atë se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, siç është e drejta për gjykim të pa-anshëm, e drejta për mjete juridike, e drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër. Por, po ashtu ata mund të thirren  edhe në 8 konventa ndërkombëtare siç është konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut apo deklarata universale për të drejtat e njeriut. Mirëpo karakteristikë e kësaj Dhome do të jetë se rastet nuk do të gjykohen nga këta gjyqtarë që aktualisht ka Gjykata Kushtetuese, por do të jenë përsëri gjyqtarë ndërkombëtar të cilët janë të vendosur në Gjykatë Kushtetuese si Dhomë e Specializuar”, tha ai për Radio Kosovën.

Ndërsa njohësi i çështjeve kushtetuese, profesori Riza Smaka, thotë se kjo Dhomë në kuadër të Kushtetueses, do të ketë fare pak punë.

“Për të qenë gjykatës i Gjykatës së Specializuar për çështjet kushtetuese do të jetë një privilegj i madh për ndërkombëtarët. Pse? Ata do të kenë paga marramendëse dhe do të kenë maksimalisht pakë punë. Bile nuk e besoj se do të kenë ndonjë rast, veç nëse e fabrikojnë ndonjë sa për të arsyetuar, ekzistimin”, theksoi ai.

Themelimi i dhomës së specializuar të Gjykatës Kushtetuese është parë me habi edhe nga ish gjyqtarja Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj.

“Çka do të thotë kjo, unë këtu po e vë pikëpyetje?! A do të thotë kjo se gjykata jonë nuk ka besim të mjaftueshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese, me faktin se është themeluar edhe e nivelit kushtetues”  është shprehur Mushkolaj.

Sidoqoftë detajet rreth procesit të themelimit të Dhomave priten të jepen më 15 shtator të këtij viti, nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në Hagë.