Spekulimi serb: Amerikanët sjellin në Kosovë një karkalec shumë të rrezikshëm

14.07.2017 16:29:01

“Në Kosovë ditëve të fundit është paraqitur “karkaleci i zi” (Romalea guttata), i cili po shkakton dëme të papara dhe është shumë i rrezikshëm për jetën e disa kafshëve”.

Kjo bindje të krijohet nëse lexon mediat serbe, spekulimet e të cilave duket se nuk përfundojnë vetëm me titujt propagandistik të lidhur direkt me politikën, shkruan Gazeta Metro.

Duke cituar media të Kosovës të cilat nuk ekzistojnë, mediat serbe kanë spekuluar se afër bazës së ushtrisë amerikanë në Ferizaj, përkatësisht në rrethinën e Bondsteel-it, po jeton dhe zhvillohet një karkalec –helmi i të cili është shumë i fortë aq sa edhe mund të vrasë disa lloje të shpendëve.

Tutje, sipas medieve serbe, ky lloj karkaleci është “bartur” nga fluturimet e shpeshta Amerikë-Kosovë, sepse lloji i këtij insekte është autokton i një pjese jugore të Amerikës.

Ky shkrim është i shoqëruar me një video të publikuar në vitin 2012 në Youtube, ku tregohet historia e këtyre karkalecave.  (Videon mund ta gjeni në fund të këtij teksti)

Më poshtëështë shkrimi i medieve serbe:

Në Kosovë ditëve të fundit është paraqitur “karkaleci i zi” (Romalea guttata), i cili po shkakton dëme të papara dhe është shumë i rrezikshëm për jetën e disa kafshëve.

Ky lloj i karkalecave të zi është paraqitur në rrethinën e bazës ushtarake Bonsteel të vendosur afër Ferizajt, ndërsa helmi i tij është aq i fortë saqë mund të vras një zog apo gjitarë të vogël sepse nuk janë imun në toksine të tij.

Lloji i vetëm i shpendit i cili mund të asgjësojë këtë popullatë është “Loggerhead Shrike”, por ai nuk jeton në këtë pjesë të Ballkanit.

“Karkaleci i zi” i takon specieve autoktone të pjesës jugore të SHBA. Besohet se është “bartur” në këto hapësira me ndihmën e fluturimeve të shpeshta transportuese nga SHBA. Pasi që në këto hapësira asgjë nuk e pengon, ai ka filluar të zhvillohet me shpejtësi të paparë nëpër gjithë Kosovën.

Femra e kësaj specie invazive bënë rreth 60 vezë çdo dy javë dhe këto karkaleca mund të rriten deri në 8 centimetra.

Nuk zgjedhin pemë apo perime për të sulmuar, duke i dëmtuar fletët dhe frutat. Sulmojnë edhe gati të gjitha llojet e luleve, gjithashtu duke i dëmtuar fletët dhe lulet.

Janë dëmtues të theksuar dhe gjithmonë paraqiten në grup kolonial, kështu që kur sulmojnë, sulmon e gjithë kolonia. Nuk është për ushqim, në dallim prej disa llojeve tjera të cilat hahen. Nuk hahen as nga kafshët tjerë, për shkak të toksikëve të përmendura.

Fëmijët duhet mbajtur larg nga “karkaleci i zi” sepse helmi i tij është mjaft agresiv dhe mund të lëndojë lëkurën. Një dozë e helmit të cilin e qetë ky lloj ka rreth 5 mikrolitra. Ai përmban rreth 40 molekula kimike, të cilët janë kryesisht fenolë dhe kinonë, e të cilët janë mjaft të rrezikshëm për kafshët, pretendojnë në Fakultetin e bujqësisë në Prishtinë.