Spitali “8 Shtatori” në Shkup mbylli sallën e operacionit, ska infermiere! (Video)

27.12.2016 20:03:05

Reparteve të pneumologjisë dhe endokrinologjisë dhe një salle për kirurgji të përgjithshme dhe digjestive u është vënë çelësi në spitalin “8 Shtatori”.

Mungesa e anesteziologëve dhe e infermiereve, janë arsyeja se pse u soll ky vendim, tha drejtori i spitalit Sasho Stojçev, për TV21. Mirëpo thonë se mbyllja e sallës së operacionit nuk do të ndikojë në rastet urgjente.

Qytetarët nuk ishin të informuar për mbylljen e sallës së operacionit, por thonë se kjo gjendje do të shkaktojë probleme për pacientët që duhet të operohen.

Shpallja për punësimin e 60 infermiereve, ende s’është mbyllur. Siç sqaruan nga spitali konkursi me të gjitha gjasat do të duhet të anulohet, sepse ende nuk i kanë marrë testet e nevojshme shabllon për vlerësimin e kandidatëve të paraqitur. Për momentin, në spitalin e qytetit punojnë 350 infermiere. Që të mund të punojnë me tempo normale janë të nevojshme edhe 180 infermiere.

Siç sqaruan nga “8 Shtatori”, mungesa e infermiereve vjen si rezultat i asaj se një pjesë e tyre ose janë pensionuar ose kanë shkuar të punojnë në spitalet private apo jashtë shtetit. Krahas kësaj, është shtuar edhe vëllimi i punës, gjegjësisht vitin e kaluar në spital janë bërë 193.000 kontrolle, ndërsa këtë vit gati se 30 mijë më shumë./Telegrafi/