Spitali i Pejës bëhet me mikroskop për skriningun e kancerit të qafës së mitrës

22.01.2021 12:41:43

Duke shënuar Javën Evropiane të Kancerit të Qafës së Mitrës, Action for Mothers and Children mbështetur nga UNFPA, Zyra në Kosovë, dorëzoi sot në Laboratorin e Patologjisë në Spitalin Rajonal të Pejës mikroskopin Olympus CX43 Binocular N5731700.

Ky donacion dhurohet pas lansimit të programit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës në Pejë, me ç’rast gratë që jetojnë në këtë komunë do të kenë mundësinë t’i bëjnë Pap testet falas.

Programi për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës është tejet i rëndësishëm për shëndetin publik, duke mundësuar zbulimin e hershëm të qelizave jonormale të qafës së mitrës dhe trajtimin e tyre me sukses për të parandaluar zhvillimin e këtij kanceri.

“Ky program është tejet i rëndësishëm për gratë në Kosovë sepse shpëton jetët e tyre dhe ruan shëndetin publik. AMC është shumë falënderuese ndaj Spitalit Rajonal të Pejës për bashkëpunimin, dhe shpresojmë që ky mikroskop do tua lehtësojë punën patologëve në këtë spital, në mënyrë që sa më shumë gra të zbulojnë herët qelizat kancerogjene dhe të shpëtojnë jetët e tyre. Poashtu, falënderojmë UNFPA zyra në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite”, u shpreh Hana Buçinca nga AMC, e cila është edhe udhëheqëse e këtij programi.

Programi për Skriningun e Kancerit të Qafës së Mitrës mbështetet nga UNFPA zyra në Kosovë dhe implementohet në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Pejë. Deri tash, mbi 9000 gra kanë përfituar PAP- teste falas, thuhet në njoftim.