Sqarime të detajuara për të vërtetën e “përjashtimit” të Ukshin Hotit nga LDK-ja dhe për punën e shkëlqyer të degës së LDK-së në Rahovec (2)

01.07.2018 18:38:40

Në vazhdimin e dytë lidhur me të ashtuquajturin “përjashtim” të Ukshin Hotit nga LDK dhe të veprimtarisë politike, institucionale dhe kombëtare të degës së LDK-së në Rahovec, Fetah Berisha ka dhënë një pasqyrë të argumentuar të aktivitetit të kësaj dege në fushën e organizimit të pushtetit politik, institucional, arsimor, kulturor etj., gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, e që është rrëfim për të vërtetën e një historie unike dhe të pashembullt në botën demokratike të një populli që arriti të dëshmojë aftësi të mëdha të organizimit institucional kombëtar.

Nga Fetah Berisha

Vitet e 90-ta ishin vite vlimesh politike e atdhetare, ishin vite të rënda për shqiptarët sepse, nga pushtuesi serb, ishte rrezikuar jo vetëm qenia biologjike e shqiptarit, por edhe arsimi, shkenca, kultura, ekonomia e çdo gjë që ishte shqiptare. Por, gjithashtu, ishin edhe vite të unitetit, të solidaritetit dhe të sakrificës. Mirëpo, shoku Sali nuk ishte parë të kyçet në asnjë moment në lëvizjen nacionale për liri, demokraci dhe (shtetbërje) për jetësimin e Republikës së Kosovës!

Lexues të çmuar, po jap një kronologji të përmbledhur, për veprimtarinë e LDK-së,  të degës së LDK-së në Rahovec dhe veprimtarëve të saj:

Themelimi i LDK-së ishte ngjarje shumë me rëndësi nacionale dhe historike, për ne, e cila u përjetuar si diç e vetvetes, si shpëtimtare për shqiptarët, sepse është organizimi politik më serioz nacional, pas LSH të Prizrenit. Pas LDK-së u themeluan edhe 11 parti tjera shqiptare, nga të cilat, u formua Këshilli koordinues i partive politike shqiptare (22 korrik 1991), me kryetar Ibrahim Rugovën. ”LDK në pluralizëm është parti politike, ndërsa për çlirimin nacional është lëvizje gjithëkombëtare”, e përsëriste dr. Rugova.

Komisioni i ASHA të Kosovës,udhëhequr nga akademikët Gazmend Zajmi dhe Fehmi Agani, përpiluan tekstin e Deklaratës Kushtetuese,të cilën delegatët e Kuvendit të Kosovës, me 2 Korrik 1990,e lexuan para dyerve të mbyllura të Kuvendit, të rrethuar nga forcat policore serbe, me të cilën Kosova shpallët   Republikë.

Kryesia Qendrore e LDK-së unanimisht përkrahu Deklaratën. Kurse Kryesia e degës së LDK-së,me anëtarësinë manifestonte duke defiluar rrugëve të Rahovecit dhe fshatrave.

Me 2 Korrik, në mesnatë, sigurimi serb e kishte arrestuar dr. Ibrahim Rugovën dhe Jusuf Buxhovin, por ishin liruar pas 2 orëve, me ndërhyrjen e Ambasadës Amerikane. Ndërsa, Fetah Berisha,i burgosur i vitit 1981, merret në bisedë informative 8 orë, në stacionin e policisë në Rahovec. Tema e bisedës ishte për 2 Korrikun.

Me 7 shtator 1990, Kuvendi i Kosovës mbështetur në Deklaratën Kushtetuese, aprovon Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Kaçanik. Me 30 shtator 1991, Kuvendi i Kosovës, Këshilli koordinues i partive politike shqiptare dhe degët e LDK-së organizuan Referendumin për Republikën e Kosovës.

Kësaj ngjarje e të tjerave  iu parapriu: vizita e parë e dr. Ibrahim Rugovës në SHBA, Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe Rezoluta e Kongresit amerikan, për  Kosovën (korrik 1990).

Me 19 tetor 1991 u formua Qeveria e parë demokratike e Republikës së Kosovës kryeministër i parë  i Qeverisë u zgjodh Bujar Bukoshi. Parlamenti i Shqipërisë. Udhëhequr nga Pjeter Arbnori, e pat njohur Republikën e Kosovës.

Fillimisht u formuan 8 ministri. Delegatët dhe gjysma e Qeverisë dalin jashtë vendit,për shkaqe sigurie.

Në Tiranë funksiononte zyra e Kosovës. Bob Doli u emërua Ambasador nderi i Republikës së Kosovës. Qeveria në ekzil formoi Fondin e 3%, me mjetet e grumbulluara nga mërgata janë financuar: Qeveria, arsimi, shëndetësia, familjet skamnore, Forcat ushtarake (FARK-u dhe UÇK). Me 16 mars formohet Këshilli Qendror për Financim. Edhe në çdo degë të LDK-së u formuan këshilla të tillë.

Me 24 maj 1992,tetë muaj pas Referendumit, LDK-ja organizoi zgjedhjet pluraliste demokratike, Parlamentare dhe Presidenciale. Sovrani zgjodhi dr. Ibrahim Rugovën president të parë i Republikës së Kosovës dhe 120 deputetë me votën e lirë të qytetarëve. Ndërsa në Rahovec kishin fituar tre  kandidatët e LDK-së: Fetah Berisha, Ibrahim Kryeziu dhe Xhelal Canziba. Kurse, dr. Rugova do të fitoi edhe në zgjedhjet e vitit 1998, të viti 2000 dhe 2004. Këto zgjedhje i përcollën dhe përkrahen edhe vëzhgues ndërkombëtar, nga Amerika, Anglia, Evropa etj.

Në tetor 1992,kryesia e degës së LDK-së, me sugjerimin e Qeverisë së Kosovës në ekzil dhe kryesisë Qendrore të LDK-së, themeloi Qeverinë Komunale shqiptare paralel asaj serbe. Mbledhja u mbajt pa proces dhe me dyer të mbyllura, për shkaqe sigurie.

Kryetar i Ekzekutivit – Xhelal Canziba

Drejtor për arsim  – Hamëz Morina

Drejtor për ekonomi – Ibrahim Kryeziu

Drejtor për inspektim-Xhevdet Duraku

Drejtor për financa – Nahit Elshani

Drejtor për shëndetësi-Osman Vuçitërna

Drejtor për mbrojtje  – Esat Haxhijaha

Drejtor për PB – Rexhep Oruqi

Drejtoritë funksiononin mirë. Shquhen sukseset në arsim, kulturë, shëndetësi, solidaritet, çështje sociale etj. Formohen dhe funksionojnë me sukses shoqatat  humanitare bamirëse, si: ”Nënë Tereza”,”Kryqi i Kuq”, ”Sindikatat e pavarura”,” KMDLNJ”,”Këshilli për Financim”,”Fshati ndihmon fshatin, lagja- lagjen” etj. Pra, vetorganizimi humanitar e solidariteti ishin njëri nga segmentet e Qeverisë komunale shqiptare, të cilat e sfodonin pushtetin okupues serb.

Rrënimi i arsimit shqip, nga okupatori serb,filloi me imponimin e bërthamave të përbashkëta, të planprogrameve mësimore, të cilat lëndonin rëndë programet  mësimore në gjuhën shqipe. Me 20 shkurt 1991, Serbia ndërpreu financimin e arsimit shqip, helmoi qindra nxënës, uzurpoi objektet shkollore, mbylli shkollat e mesme, të larta dhe universitare, pagëzoi shkollat me emra serb, për nxënësit serb mësimi do zhvillohej vetëm para dite… gjendja në arsim u çrregullua tërësisht. Këto veprime të pushtuesit serb kishin për qëllim shkatërrimin dhe serbizimin e çdo gjëje që ishte shqiptare.

Mirëpo, partitë shqiptare, me prijataren LDK, LASH-i (Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, prindërit dhe mësimdhënësit shqiptarë vendosën, mbështetur në Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut, nuk pranojmë asnjë ligj e dokument që mban vulën e Serbisë dhe mësimdhënësit shqiptar u deklaruan se nxënësit tanë do i mësojmë me planet  mësimore tona, shtëpitë do i bëjmë shkolla, do punojmë pa pagesë dhe arsimtarë e nxënës do i kthehemi mësimit…

Edhe pse dhuna e policisë serbe ishte e madhe, mësimdhënësit punojnë me planprogramet e Kosovës, tekstet mësimore përpilohen nga autorë shqiptarë, ditarët e klasave, librat e amzës, dëftesat e diplomat, vulat…mbajnë  shkrimin Republika e Kosovës. Dokumentacioni shtypej në shtypshkronjën  “Dukagjini”, në Pejë. Bartja e dokumentacionit ishte e vështirë e me pasoja. Shpesh në mes kamionetes me stoqe kashte futnim dokumentacionin shkollor-pedagogjik.

Me konkurs bëhet zgjedhja e personelit udhëheqës dhe mësimor, të shkollës. Punët pedagogjike i kryenin këshilltarët nga DKA. Gjatë vitit 1992, mbështetur në vendimin e Ministrit të arsimit, me iniciativën e LASH-it dhe Kryesisë së LDK-së, u bë emërimi i shkollave me emra shqip që i kishte ndërruar pushtuesi serb, në komunën e Rahovecit, si: Martin Camaj, Isa Boletini, Mihal Grameno, Haki Stërmilli etj. Pasi ishte formua KQF në Prishtinë,me 7 gusht 1992, me ndihmën e degës së LDK-së, u themelua KKF (Këshilli Komunal për Financim),i cili kishte 7 anëtarë:

Beqir Ahmeti

Hamëz Morina

Halim Haxhijaha

Sali Zllanoga

Milazim Morina

Xhemajli Haxhimustafa

Muharrem Qeska

Këshilli Komunal për Arsim (KKA),veprimtarinë e vet e zhvilloi në bazë të dokumenteve të Këshillit Qendror për Financim (KQF), si: vendime, rregullore të punës, udhëzime, dëftesat e pagesave etj. Me vendim ishin shënjuar obliguesit e kontributeve, në bazë të cilave bëhej grumbullimi i mjeteve financiare, si: dyqanet private, zejtarët, firmat private, qytetarët dhe prodhuesit bujqësorë etj. Qeveria e Kosovës nga Fondi i 3%, nga prilli 1992, dërgoi mjete për financimin e arsimit. Mësimdhënësit fillimisht paguheshin 20, 30, 4o e 55 DM, për të arritur deri në 13o DM. Përpos pagesave të punëtorëve të arsimit janë ndarë edhe bursa për nxënës e student.  Paguesit paguanin me vullnet e pa imponim, ndërsa inkasantët e kryenin punën ndershmërisht pa pagesë.

Në komunën e Rahovecit, nga viti 1990-1998, janë bërë investime nga solidariteti i popullatës, në ngritjen dhe renovimin e objekteve shkollore dhe kulturore, si: në Drenoc u adaptua shtëpia e kulturës, në Qifllak u investuan 10.000 DM për meremetimin e shkollës, për ndërtimin e shkollës në Pastasel u investuan 100 mijë DM, nga mërgimtarët, punët e mjeshtërisë u bënë falas nga vendasit, dhe pas lirimit të objektit, u bë punë e madhe për meremetimin e gjimnazit, për të cilin, punët e mjeshtërisë dhe ato fizike, materialin, ushqimet dhe financat u siguruan në mënyrë solidare e vullnetare nga qytetarët e Rahovecit dhe rrethinës.

Misionarët e KSBE-së (OSBE), të vendosur në Prizren, z. Kurt  Amend, Dagllas Smith etj. vetëm gjatë vitit 1993, e vizituan tri herë degën e LDK-së, në Rahovec. I informonim për gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe format e represionit që ushtronte pushtuesi serb mbi shqiptarët.

Po ashtu, nëntor 1993, mërgimtarët Ramadan dhe Istref Berisha, e sollën miken e tyre zonjën Erika anëtare e Parlamentit Panevropian, në Kramavik ku ia organizuan një takim me kryetarin e degës së LDK-së Fetah Berisha dhe me disa veprimtarë, në odën e Ramadan Berishës. Parlamentarja u informua për represaliet e pushtetit serb që po ushtron mbi shqiptarët, si: vrasjet e ushtarëve shqiptarë në APJ, për gjykimet e montuara, maltretimet fizike, plaçkitjet, marrjen e pasaportave mërgimtarëve etj. Erika merrte shënime dhe premtoi që do bëjë, ç’është e mundur, për Kosovën, në Parlamentin Panevropian.

Kryesia e degës së LDK-së, Qeveria Komunale, FG dhe FR i LDK-së, kundër dhunës serbe, organizonin protesta, peticione, apele, kërkesa…etj. Me 12 tetor 1992, Kryesia e degës së LDK-së, DKA, LASH-i, drejtorë, nxënës e prindër organizuan protestën e madhe për lirimin e objekteve shkollore, ku morën pjesë mbi 25 mijë protestues. Policia serbe ushtroi padi në gjykatë, kundër Qerim Rexhepit, Fetah Berishës, Sabahudin Cenes dhe Xhemajl Hajrullagës, për organizator të protestës. Na mbronte avokati i nderuar Hazer Susuri pa asnjë  lloj pagese.

Nga APJ të rinjtë shqiptarë po ktheheshin në arkivole, të vrarë prapa shpine. Nga komuna Rahovecit, në APJ,janë vrarë 3 ushtarë: Hilmi Popaj –Ballacërkë, Bashkim Krasniqi – Qifllak dhe Qani Shabani – Rahovec. Kryesia e degës së LDK-së organizonte varrime masive, nga doli kërkesa: asnjë djalë ushtar në APJ.

Agresioni serb zbatohej në forma të ndryshme. Kështu, me 1 shkurt 1993, rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë mbi 100 polic serb, 20 autoblinda dhe makina tjera policore, rrethuan dhe bastisën shtëpitë e vëllezërve: Reshit Berisha, Kadri Berisha, Sami Berisha dhe Fetah Berisha (kryetar i degës së LDK-s). Pasi bastisën edhe zyrën e LDK-së dhe morën dokumente, të arrestuarit i dërguan në lokalet e SPB-së në Prizren, duke i keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht, deri natën vonë.

Ani pse dhuna serbe eskalonte me egërsi mbi shqiptarët, Dega e LDK-së dhe Qeveria komunale, në veçanti DKA, udhëhequr nga Hamëz Morina – drejtor, zhvillonin aktivitete kulturore në të gjitha format, si: festat nacionale, tribuna, tubime, simpoziume etj. Shkollat festonin ditën e tyre, shënohej 2 Korriku dhe 7 Shtatori, 7 dhe 8 Marsi, u promovua libri “Dimri i Drinisë”, në Qifllak, në disa fshatra u shfaq drama “A vritet shkolla bre”, udhëhequr nga Emin Kabashi, festohej rregullisht 28 Nëntori, si: me 1993 në Xërxe, organizuar nga Kryesia e degës së LDK-së, FG dhe FR i LDK-së, ku morën pjesë: dr. Bardhyl Qaushi, Ukshin Hoti, Eqrem Kryeziu, Emin Kabashi, Aqif Shehu, Fetah Berisha, Hamëz Morina, Mujë Krasniqi, etj.

Për çdo 27 janar, dega e LDK-së, organizonte tribunë për 4 dëshmorët e demokracisë,vrarë në Brestoc. Kështu, me 27 janar 1993 në Nagavc u mbajt një tribunë masive, morën pjesë: Ukshin Hoti, Anton Kola, Hydajet Hyseni, Edita Tahiri, Hamëz Morina, Fetah Berisha e shumë veprimtarë nga fshatrat për rreth.

Nëndega e LDK-së, bashkë me degën, në Drenoc organizuan një tribunë për përvjetorin e LSH të Prizrenit. Kumtesat i lexuan: dr. Jusuf Bajraktari, Ukshin Hoti dhe Fetah Berisha… Organizoheshin kuize diturie, recitime, skeçe, humor, këngë e valle etj. pa censurë, me përmbajtje atdhetare.

Dega e LDK-së në Rahovec dhe dega e LDK-së e Malishevës, ngritën lapidar në Zatriq, Qypevë e Damanek, për viktimat e terrorit serb,në kryengritjen e viti 1919 Prandaj, në shënimin e 2 Korrikut 1993, për dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe 73 vjetorit të rënies së 30 viktimave nga terrori serb, në Zatriq u mbajt tubim i madh, ku morën pjesë mbi 3-4 mijë pjesëmarrës. Pengesat e mëdha policore serbe nuk arritën ta ndalin dot pjesëmarrjen masive në tubim.

Ndër tjerë morën pjesë: dr. Ali Zatriqi, Rexhep Osmani, Munish Hyseni, Emin Kabashi, Asllan Krasniqi etj. Lapidarin, mes dy Akavanave, e zbuluan: dr. Ali Zatriqi, Rexhep Osmani, Fetah Berisha dhe Hamëz Morina. Në binën e improvizuar në bjeshkën e Zatriqit, u dha një program i pasur artistik nga SHKA ”Vëllazërit Frashëri“ e Drenocit. Zatriqasit, atë ditë, hapen dyert e shtëpive për pjesëmarrësit. Secila familje kishte gatuar flija.

Qeveria komunale shqiptare në Rahovec, po e sfidonte dhunën e regjimit dhe të  policisë serbe, duke funksionuar me të gjitha strukturat e duhura qeverisëse. Kryesia e degës së LDK-së, bashkë me Qeverinë komunale shqiptare, për çdo sezon organizonin takime me mërgimtarët tanë që vinin në pushime.

Kryesia e degës së LDK-së në Rahovec, Këshilli Komunal për Bujqësi, në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Bujqësi, me këshillat e komunave tjera dhe me Fakultetin e Bujqësisë organizuan dhe mbajtën Simpoziumin e parë për vreshtari dhe verëtari në Rahovec, me nivel të Kosovës, nën nikoqirllëkun e Presidentit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugovës. Simpoziumi u mbajt me 28-29.06. 1997, në motel  “Jaha Petrol”, në Rahovec. Në Simpozium u paraqitën 26 referate, 20 për lëmin e vreshtarisë dhe 6 për lëmin e vertarisë. Ndër të tjerë lexuan: dr Agim Zajmi, dr Hilmi Cena, dr Nysret Taraku, ing i dip. Ukë Bytyçi etj. Simpoziumin e përshëndeti z. Terri Heselius, përfaqësues i “Mercy Corrps-Internacional”

(Vijon)