Sqarohet policia: Deçanasi u arrestua pasi që nxiti urrejtje racore dhe kombëtare

02.12.2016 15:36:24

Policia e Kosovës ka reaguar pas raportimeve për burgosjen e një qytetari nga Deçani. Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik dhe qytetarëve, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare sqaron veprimet policore lidhur me rastin e ndalimit të personit A. C. (viti i lindjes 1984) nga fshati Lloçan i komunës së Deçanit, njofton policia e Kosovës.

Me datën 1 dhjetor 2016 në sallën e Asamblesë së KK-Deçan ka qenë duke u mbajtur një takim në mes të përfaqësueseve të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, duke përfshirë qytetarë shqiptarë nga Deçani, qytetarë serbë ish-banorë të Kosovës, përfaqësues nga OSBE-ja, UNMIK-u, UNHCR-ja, Policia e Kosovës etj.,  të cilët ishin takuar për të diskutuar lidhur me pronat dhe banesat e qytetarëve, përmes këshillit danez për refugjatë dhe akterëve tjerë.

Gjatë mbarëvajtjes së takimit personi A. C., ka marrë fjalën në këtë takim dhe gjatë fjalimit të tij ka shprehur nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të pranishëm si dhe i njëjti ka deklaruar se pas daljes nga ai takim brenda 30 min, do t’i ftojë të gjithë qytetarët për t’u ballafaquar me Policinë dhe KFOR-in.

Referuar situatës së krijuar është ndërprerë takimi dhe të pranishmit janë shpërndarë në lokacionet e tyre, ndërsa më vonë personi A. C. është ndaluar nga Policia  për “Nxitje të urrejtjes racore, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” dhe me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.