Stamboll, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj shpallen kampionë të Ballkanit

18.02.2018 00:04:20

Luiza Gega shpallet kampione në garën ballkanike e 3000 metrave në turneun e Sallave të Mbyllura që u zhvillua në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll, duke e kaluar e para finishin me kohën 9 minuta e 6 sekonda.

Atletja shqiptare e distancave të mesme rrëmbeu medaljen e artë në këtë disiplinë, ku shfaqi supermacinë ndaj rivaleve të saj.

Ky është një tjetër sukses i madh i arritur nga atletja shqiptare në “Istanbul Indoor”, teksa një vit më parë në të njëjtin turne rrëmbeu medaljen e artë në garën e 1500 metrave me kohën 4:06:65, që është edhe rekordi kombëtar në këtë disiplinë.

Edhe Izmir Smajlaj ka marrë medaljen e artë në disiplinën e kërcimit për së gjati në kampionatin për salla të mbyllura që po zhvillohet në Stamboll të Turqisë.

Izmir Smajlaj triumfon sërish. Atleti shqiptar i kërcimit së gjati mbrojti titullin e kampionit të Ballkanit në Salla të mbyllura të fituar një vit më parë në Beograd të Serbisë në evenimentin e zhvilluar në Stamboll të Turqisë.

Në këtë event, Izmir Smajlaj e mbylli garimin e tij me kërcimin 7 m e 80 cm një rezultat që është larg rezultatit të tij më të mirë, por që i mjaftoi Smajlajt të pushtojë shkallën më të lartë të podiumit.