Statovci: Kushtet për liberalizim janë individuale për secilin shtet

08.12.2016 18:01:35
BE-ja sot ka arritur marrëveshje që ukrainasit dhe gjeorgjianët të udhëtojnë të lirë pa viza.

Ani pse Ukraina dhe Gjerorgjia ende nuk i kanë të definuar vijat kufitare BE-së nuk i ka penguar që t’i liberalizoj vizat për vendet në fjalë, gjë që përcaktimi i kufijve është kusht për Kosovën.

Mirëpo, zëvendësministrja e Integrimit Evropian, Anila Statovci, ka thënë për Lajmi.net, se kushtet për secilin shtet janë të ndryshme dhe individuale.

“Dje, më 7 dhjetor 2016, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të BE, në emër të Këshillit ka rënë dakord me Parlamentin Evropian për mekanizmin e suspendimit vizave të aplikueshëm për të gjitha marrëveshjet ekzistuese për liberalizimin e vizave. Propozimi për Mekanizmin e Suspendimit është  votuar  sot në Komisionin për drejtat Civile të Parlamentit Evropian (LIBE) dhe gjatë javës së ardhshme edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg”, tha ajo.

Sipas Statovcit, këtë mekanizëm BE rezervon të drejtën e suspendimit të vendimit për liberalizim vizash, për kohë të caktuar a të pacaktuar.

“Pra, vendimi i sotëm hap dyert për miratimin e propozimeve për liberalizimin e vizave për shtetet në pritje (edhe pse nuk është e thënë që do të ndodhë në mënyrë automatike). Me këtë mekanizëm BE rezervon të drejtën e suspendimit të vendimit për liberalizim vizash, për kohë të caktuar a të pacaktuar, varësisht nga vlerësimet për rasteve konkrete ndaj të gjitha shteteve që gëzojnë liberalizimin e vizave”, tha zëvendësministrja e Integrimit Evropian për Lajmi.net.

Ndër tjera, Statovci tha se kriter final për liberalizim të vizave “mbetet ratifikimi i demarkacionit” me Malin e Zi.

“Gjersa në rastin e Kosovës, mbetet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi si kriteri final. Këto janë kushtet e definuara dhe të dakorduara më parë në mes të BE dhe Kosovës”, vlerësoi ajo.

Gjithashtu, Statovci tha se “kushtet për liberalizim janë individuale për secilin shtet”.

“Kushtet për liberalizim janë individuale për secilin shtet, ashtu si janë individuale e specifike edhe historitë, gjendja socio-ekonomike, raportet shoqërore, proceset politike etj. të secilit shtet. Kombinimi i këtyre faktorëve krijon edhe listën e kushteve që duhen përmbushur”, u shpreh ajo.

Sipas saj Kosova ka pasur më pak kushte 95 në krahasim më Ukrainën që kishte 144 sosh.

Më tutje, ajo tha se BE e ka të qartë gjendjen e brendshme politike të krijuar për demarkacionin, por thotë se mbetet të punohet bashkërisht në përmbushjen e këtij kriteri.

“Nga negociatat e fundit që janë zhvilluar me BE, ata e kanë të qartë gjendjen e brendshme politike të krijuar rreth çështjes së demarkacionit, dhe mbetet të punohet bashkërisht në përmbushjen e këtij kriteri”, tha krejt në fund Statovci.