Stavileci: Fituesit i krijojnë institucionet

15.06.2017 23:40:01
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, është shprehur i bindur se koalicioni PDK-AAK-Nisma, dhe mandati i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj, do ta bëjnë qeverinë e re.
Stavileci ka thënë për “Epoka e re” se ky koalicion është fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, ngaqë ka marrë numrin më të madh të votave të qytetarëve.

Sipas tij, në zgjedhje hyhet për të dalë i pari, e jo i dyti.

Stavileci ka treguar se koalicioni ka funksionuar si ekip dhe nuk ka pasur garë se kush do të marrë më shumë deputetë brenda tij.

“Mendoj se këtë herë ne kemi liderë seriozë që janë bërë bashkë, të cilët, pas certifikimit të rezultateve, do të kenë mundësi ta garantojnë formimin e koalicionit dhe formimin e qeverisë së re”, është shprehur Stavileci.