STËRVITJE TË PËRBASHKËTA TË FORCAVE AMERIKANE DHE MAQEDONASE

STËRVITJE TË PËRBASHKËTA TË FORCAVE AMERIKANE DHE MAQEDONASE

31.07.2017 14:40:16

Njësitet ushtarake të Maqedonisë dhe SHBA-së kanë nisur në poligonin ushtarak Krivollak, rreth 100 km nga Shkupi, një stërvitje të përbashkët ushtarake të koduar “Dragoon Guardian 17”.

Kjo stërvitje ka për qëllim testimin e kapaciteteve për pastrimin e terrenit nga materiet shpërthyese, ndërsa do të përballen edhe me kërcënimet nga armët kimike dhe biologjike.

Njëherësh, kjo stërvitje do të jetë edhe më e madhja e mbajtur ndonjëherë në poligonin Krivollak dhe do të zgjasë deri më 10 gusht, me pjesëmarrjen e 300 ushtarëve amerikanë dhe 95 të Armatës së Maqedonisë.

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se stërvitja dëshmon partneritetin ushtarak mes dy vendeve dhe se kjo, sipas tij, do të ndihmojë aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, proces ky që mbështetet fuqishëm nga SHBA-ja.

Baily gjithashtu i ka shprehur mirënjohje Maqedonisë për pjesëmarrjen në misionet ushtarake jashtë vendit.

“Ushtarë nga Maqedonia kanë luftuar krah për krahu me ushtarët amerikanë në Afganistan në vitin 2002 dhe e dimë se ushtarët amerikanë kanë respekt të madh për kolegët e tyre nga Maqedonia. Duke punuar së bashku, ushtarët tanë forcojnë lidhjet mes tyre, dhe me këtë zhvillohen edhe lidhjet mes dy vendeve”, tha amabasadori Baily.

Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili ishte i pranishëm në hapjen e stërvitjes, tha se kjo ngjarje përcjell mesazhe të fuqishme për orientimin e Maqedonisë drejt demokracive të zhvilluara perëndimore. NATO-ja, tha Zaev, mbetet prioritet i punës së Qeverisë së re.

“Të gjithë në botë e dinë orientimin e Maqedonisë. Edhe njëherë e përsërisë, se ne duam bashkëpunim me të gjitha shtetet, por vendi ynë është në NATO dhe ne synojmë anëtarësimin e plotë në këtë aleancë si dhe në Bashkimin Evropian. Këto stërvitje ushtarake përçojnë mesazhe shumë të vlefshme, mesazhin e bashkëpunimit në sigurimin e paqes në Botë dhe lirinë për gjithë njerëzimin”, tha Zaev, citon REL

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska e ka vlerësuar si shumë me rëndësi përzgjedhjen e territorit të Maqedonisë nga ana e SHBA-së për të zhvilluar stërvitjen ushtarake. Ajo tha se Maqedonia po bënë gjithçka të mundur që të plotësojë të gjitha kriteret e paraparë që edhe ky vend të jetë pjesë e NATO-së, ku bëjnë pjesë demokracitë e zhvilluara perëndimore.

“Në veçanti nga gëzon fakti se një vendi i cili investon shumë në zhvillimin e gatishmërinë e forcave të saja ushtarake, siç janë SHBA-të ka zgjedhur pikërisht poligonin ushtarak ‘Krivollak’ për të zhvilluar këtë aktivitet ushtarak”, ka thënë Sheqerinska.

Ushtarët amerikanë në Maqedoni po qëndrojnë që nga 28 korriku, me vizita në disa qytete ku edhe kanë ekspozuar pajisjet luftarake duke zgjuar kureshtjen e madhe të qytetarëve për të qenë sa më afër ushtarëve amerikanë.