Steven Jovetic prezantohet te Sevilla

10.01.2017 21:32:33

Sevilla ka kompletuar huazimin e sulmuesit Steven Jovetic nga Inter me të drejtë blerje përfundimtare në fund të sezonit. Klubi spanjolle e ka prezantuar lojtarin të martën pasdite me fanellën e re me numër 16. 27-vjeçari nga Mali i Zi deklaroi se në vendimin e tij për të shkuar në Andaluzi nën urdhrat e trajneri Sampaoli ka ndikuar biseda që ka pasur me Samir Nasri, futbollisti i huazuar nga Manchester City te Sevilla.

“Samir Nasri ka thënë se Sevilla është klubi i duhur. Ata luftojnë për vendet e para në La Liga dhe do të luajë ndaj Leicester në 1/8-t e finaleve të Champions League. Paraqet një sfidë shumë të bukur për mua. Te Inter punova fort në pritje të një mundësie, por kjo mundësi nuk mu dha kurrë në pesë muajt e fundit.” – deklaroi Jovetic, i cili ka luajtur vetëm 67 minuta në këtë sezon të Serie A, të ndara në pesë ndeshje të nisura nga stoli i Inter.