Stoli i Anglisë, një histori skandalesh

28.09.2016 14:59:49

Një histori e gjatë skandalesh. Stoli i Anglisë është një minë me sahat për këdo që merr guximin të drejtojë Kombëtaren e Tre Luanëve. Ndoshta një mallkim, por gjithashtu edhe një post prestigjoz dhe intrigues për një njeri që dëshiron të zbulojë horizonte të reja sportive. Largimi i Allardyce pas skandalit të ditëve të fundit është i fundit në radhën e gjatë të problematikë që ka shfaqur stoli i Anglisë në të shkuarën. Që prej vitit 1990 kur Sir Bobby Robson u largua, ‘Tre Luanët’ janë drejtuar nga 9 trajnerë, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, kanë hasur përherë pengesa të mëdha ose në rastin më të keq, i kanë kërkuar vetë telashet. Në vitin 1999, Glenn Hoddle i cili ndodhej prej tre vitesh në krye të pankinës, u shkarkua nga Federata për shkak të një interviste të shumëdiskutuar në “Sportsëeek”.

Ironike po të mendosh se intervista e tij nuk kishte asnjë lidhje me futbollin por me çështjet fetare pasi në këndvështrimin e ish lojtarit të Tottenham, Zoti nuk ekziston. Sven Goran Eriksson u përfshi në dy debate publike edhe pse mund të konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm të Anglisë në tre dekadat e fundit. E kualifikoi skuadrën deri në çerekfinalet e Botërorit 2002 dhe 2006 por historia rozë me sekretaren e federatës, Faria Alam ia uli ndjeshëm kuotat. Skandali seksual plasi në vitin 2004 por pavarësisht kësaj Eriksson arriti ta ruante vendin e punës. 18 muaj më pas ai i mbijetoi edhe një incidenti tjetër pasi u përgjua duke deklaruar se ishte gati të largohej nga stoli i Anglisë për një pagë më të lartë.

Gjithsesi, largimi i tij erdhi pas Kupës së Botës 2006. Një tjetër moment krize, Anglia pësoi edhe në vitin 2012 kur John Terry-t iu hoq shiriti i kapitenit nga Fabio Capello. Lojtari i Chelseat u akuzua për fraza raciste ndaj Anton Ferdinand dhe ky ishte një moment delikat edhe për trajnerin italian që duhej të menaxhonte një skuadër aspak komode. Ky telash e komplikoi situatën për Capellon që kishte arritur të ruante postin pas Botërorit 2010 ku nuk la një shije të mirë. Terry u shpall fajtor për frazat raciste ndërsa në po të njëjtin vit, Capello u largua nga stoli i Anglisë. Roy Hodgson? Ndoshta një nga të paktët që i ka shpëtuar stuhisë së skandaleve. Plaku i urtë arriti të menaxhonte me kujdes dhomën e zhveshjes, edhe pse u kritikua ashpër për dështimin e turpshëm në Euro 2016 ku Anglia u eliminua nga Islanda. Ndoshta një nga disfatat më të rënda dhe të turpshme të historisë së futbollit ishullor.