STRATEGJIA E SPECIALES PËR INTERVISTIM, SHKEL TË DREJTAT E NJERIUT

15.12.2018 16:43:31

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga ish-eprorët e UÇK-së deri më tani kanë dërguar shtatë ftesat e para për intervistim të pjesëtarëve të UÇK-së.

Disa ish-pjesëtarë të UÇK-së janë intervistuar në Kosovë, ndërsa disa tjerë janë ftuar që të shkojnë në Hagë në janar.

Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Safet Syla,  Remzi Shala e Sabahujdin Cena janë shtatë emrat që deri më tani janë ftuar nga Specialja.

Disa nga këta persona, ftesat i kanë pranuar përmes telefonit, madje edhe përmes Viber-it dhe What’s App, por kjo mënyrë e të ftuarit  nga njohësit juridik po konsiderohen si shkelje. E lojë po konsiderohet edhe mungesa e informacionit se në çfarë cilësie po ftohen për marrje në pyetje.

Avokati, Tomë Gashi ka thënë për KosovaPress se derisa nuk tregohet se në çfarë cilësie po ftohen për intervistim, pritet shpejt që një pjesë e të dyshuarve të bëhen të akuzuar.

Avokati Gashi pranon se i ka pranuar disa ftesa,  por që ato nuk ua ka kumtuar palëve, pasi që ato kryesisht janë  bërë përmes lidhjeve telefonike, e jo në formë të shkruar.

Avokati Gashi i cili është edhe i akredituar nga Gjykata Speciale shton se ky organ gjykues i votuar në Kuvendin e Kosovës ndaj askujt nuk do ketë amnisti, pavarësisht pozitës që ka mbajtur dikur, apo tani.

Sipas tij të gjithë ata që ftohen që të merren në pyetje duhet që të paraqiten, pasi që në të kundërtën krijohet situatë jo e mirë për personat tjerë që do ftohen për intervistim.

Por lidhur me ftesat për intervistim ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj  ka konsideruar se kjo gjykatë është etnike dhe fyen popullin shqiptar dhe luftën për liri.

Sipas Haradinaj një gjykim i tillë ndaj ish luftëtarëve të Kosovës po bëhet vetëm të arsyetohen krimet serbe në Kosovë.

Haradinaj  ka fajësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që e votuan themelimin e kësaj gjykate, sipas tij ata për interesat e tyre personale e votuan Gjykatën Speciale, prandaj ish luftëtarëve po iu bie të përballen me këtë gjykatë pa nevojë.

Haradinaj po ashtu ka thënë se një gjykim i tillë po bëhet vetëm për të arsyetuar fondet që janë marr për themelin e saj.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë për KosovaPress se strategjia që po përdor Prokuroria e Specializuar po i shkel të drejtat e njeriut, pasi siç thotë ai ftesat duhet të dërgohen përmes letër thirrjeve, dhe se duhet të tregohen se në çfarë cilësie po ftohen ata.

Sipas tij edhe mbrojtja duhet të jetë më e përgatitur në mënyrë që të jenë të barabartë me prokurorin që i merr në pyetje.

Miftaraj tutje ka shtuar se çdo person që ftohet për intervistim duhet të paraqitet, pasi ata mund të pësojnë dënim me gjobë apo edhe arrestim.

Sipas tij, avokatët mbrojtës duhet të kërkojnë sqarime nga ana e zyrës së Prokurorisë në mënyrë që të ftuarit të jenë në dijeni se në çfarë cilësie po ftohen për intervistim.

Gjatë kësaj jave nga prokurorët e Speciales në zyrat e EULEX-it në Prishtinë është intervistuar për 18 orë u intervistua ish koloneli i UÇK-së, Safet Syla, ndërsa që nga dita e enjte është duke u intervistuar edhe ish kryetari i Gjykatës Ushtarake, Sokol Dobruna.