Studentët i këndojnë në sy Ramës: Lindita e shefit t’vet mesatarja 5.8!

19.12.2018 13:36:21

Nuk ka qenë aspak e qetë hyrja e kryeministrit Edi Rama në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, pasi përveçse është pritur me protesta dhe thirrje turp, studentët që kundërshtonin takimin me të kanë hyrë në sallë dhe të revoltuar kanë shpërthyer kundër tij.

Ata i kanë përplasur Ramës “në fytyrë” gjendjen e e vështirë ku arsimohen dhe kryeministri nuk e ka kursyer nervozizmin ndaj atyre që e kundërshtuan, e më pas lanë sallën me brohoritje.

Një prej studenteve  i kërkoi Ramës që të ishte i prerë për vendimin e tij për 8 kërkesat.

“Duhet të kuptohet diçka këtu nga të gjithë, që ne si studentë që kemi kaq ditë, nuk kemi protestuar kot, nuk jemi budallenj, nuk jemi me parti politike. Kemi ndenjur në shi në të ftohtë. Ne zotëri jemi një pjesë e atyre që e shikojmë si të vetmin njeri që mund të  bëjë diçka. Ju e keni keqkuptuar. Ne s’kemi kërkuar të rrëzojmë qeveri, ne kemi kërkuar të drejta bazike. Ju zotëri i keni 8 pikat të zezën mbi të bardhë. Ju thoni dialog, ju duhet të thoni po ose jo. Kur të thoni po, ne do ulemi si qysh tek, si do bëjmë me këto pika,” tha studentja.

Studentja që i kërkoi kryeministri të jepte fjalën si burrat për plotësimin e 8 kërkesave, drejtoi turmën e të rinjve që braktisën sallën.

Studentët që u larguan së bashku kënduan para Ramës vargjet: Lindita e shefit t’vet mesatarja 5.8!.

Të gjithë studentët e tjerë e duartrokitën, ndërkohë Rama nuk la pa i kthyer një përgjigje, duke thënë: “Për tifozllëk, Flamurtari ndeshjen e ka të dielën, shkoni atje”.