Stuttgart rigjen fitoren, mposht në fund Koln

13.10.2017 23:04:32

Stuttgart rikthehet te fitorja në Bundesliga, duke mposhtur 2-1 vetëm në fund Këlnin, në takimin që celte javën e 8 në “Mercedes Benz Arena”. Fitorja e tretë sezonale kjo për skuadrën e Wolf Hannes, që e rinis si duhet kampionatin.

Fillimi i ndeshjes ishte më i mirë për Koln që shpresonte të gjente fitoren e parë në kampionat dhe tregoi qartazi dëshirën për të ndryshuar kurs, duke qenë disa herë pranë golit të avantazhit, me Osako që pa Ron-Robert Zieler vetëm për pak në të 17-ën, ndërsa 8 minuta më vonë ishte Simon Zoeller që gjeti hapësira në zonën e Stuttgartit, por goditi jashtë pa mundur as ta testojë Zieller. Shanse të pashfrytëzuara që më pas ndëshkuan Këlnin,  pasi në minutën e 38, të zotët e shtëpisë kaluan përpara me Donis që fitoi betejen me Sorensen për të ndëshkuar Timo Horn.

Pjesa e parë u mbyll me Stuttgartin në avantazh, por skuadra e Peter Stoger nuk u dorëzua dhe ja doli të gjente golin e barazimit në minutën e 77 me Dominique Heintz. Është ky goli i parë në 52 ndeshje për qendërmbrojtësin, një gol vërtet i bukur dhe sa i rëndësishëm për Këlnin që në minutat e mbetura u hodh në sulm në kërkim të fitores së parë në këtë kampionat. Pak minuta para fundit miqtë madje pretenduan për një penallti, për një ndërhyrje te Denis Aiogo ndaj Guirassu dhe arbitri Cortus fillimisht e akordoi 11 metërshin, por pas disa minutave ndihmë nga teknologjia dhe VAR anulloi vendimin fillestar mes protestave të Këlnit që kur dukej se do të dilte me të paktën një barazim u ndëshkua në minutat e shtesës nga Chadrac Acolo që me shpejtësinë dhe driblimin e tij kaloi disa nga kundërshtarët për të finalizuar me topin e devijuar që mashtroi Timo Horn. 2-1 për Stuttgartin, që ja del të fitojë vetëm në fund duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve po aq sa Schalke në vendin e 9, ndërsa Këlni mbetet në fundin e tabelës me vetëm një pikë pas 8 ndeshjeve të para.