Suedia konfirmon vazhdimin e përkrahjes për Kosovën

11.09.2018 19:11:13

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim njohës Ambasadoren e re të Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, znj. Karin Hernmarck Ahliny, e cili ka dorëzuar kopjet e letrave kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Pacolli e ka njoftuar ambasadoren Ahliny për proceset në Kosovë, fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar si dhe agjendën euro-integruese të Kosovës.

Sipas njoftimit të MPJ, Pacolli ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e madhe që Suedia ka dhënë dhe po vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha aspektet.

Kreu i diplomacisë së Kosovës gjithashtu ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Nga ana tjetër ambasadorja suedeze ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë duke rikonfirmuar përkrahjen e mëtutjeshme të Suedisë për shtetin e Kosovës.