Sukses i madh i Erudit Ryshës të KA “Lidhja e Prizrenit” në mitingun e atletikës në Mitrovicë

09.09.2018 17:13:45

Klubi Atletik “Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni, i cili ka vetëm një vit që është themeluar, po vazhdon serinë e sukseseve në të gjitha aktivitetet sportive që po zhvillohen. Së fundmi, në mitingun e atletikës të mbajtur dje në stadionin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ka arritur jo vetëm të shënojë rezultate të mira, por edhe të thyejë rekordin në kërcim së gjati, e që e arriti atleti i sukseshëm i këtij klubi, Erudit Rysha.

Mitingu i atletikës  u mbajt me rastin e 7 shtatorit, përvjetorit të 28 të Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës. Në këtë miting morën pjesë atletë të njohur nga e gjithë Kosova, të njohur për rezultate të mëdha në gara brenda e jashtë vendit.

Rekordi i thyer nga atleti Erudit Rysha,pa dyshim është një nga sukseset e tij dhe të klubit, është rezultat e një pune të madhe të bërë nga ai dhe nga trajneri i njohur shqiptar nga Shkodra, prof. dr. Vildan Tufi, i cili nuk ka kursyer as kohën për ushtrime dhe për këshilla se si të përgaitet sa më mirë për të arritur sukseset që po i arrin.

Thyerja e rekordit në kërcim së gjati, që është 6.98 metra, pa dyshim është një nga sukseset e mëdha edhe të vetë atletikës së Kosovës në përgjithësi, e të atletit Erudit Rysha në veçanti.

Me këtë rekord, Erudit Rysha bëhet bartës i dy rekordeve të rëndësishme në atletikë: në kërcim së larti, ku mban rekordin me rezultat 1.96 metra, dhe nga dje, edhe rekordin në kërcim së gjati  6.98m.

Sipas vlerësimeve të trajnerit Mentor Ajazaj, por edhe të prof. dr. Vildan Tufi, ky atlet do të ketë rezultate shumë më të mira dhe suksese më të mëdha brenda e jashtë Kosovës.

Vetë Erudit Rysha shprehet i bindur se me punën dhe displinën e dëshmuar deri më tash, do të arrijë që klubit dhe atletikës së Kosovës t’i sjellë rezultate shumë të lakmueshme.

Sukseset e Erudit Ryshës janë në vazhdën e sukseseve të klubit “Lidhja e Prizrenit”, i cili si klub është klub i ri, pasi që është themeluar para një viti, por që ka lënë gjurmë të mëdha që nga fillimi, edhe falë punës së palodhshme të trajnerit dhe atletit të njohur, Mentor Ajazaj, i cili edhe vetë është mbajtës rekordi në 200 metra vrapim, me pretendime për të thyer rekord edhe në 100 metra, atletit dhe basketbollistit, njëherësh sekretar i klubit, Qëndrim Ajazaj, por edhe ndihmes dhe kontributit të madh të atletit – Shpreses Olimpike Leart Osmanaj  si dhe legjendes se atletikes  Naim Malazezi.

Erudit Rysha dhe atletët e tjerë të këtij klubi, sukseset po i arrijnë falë punës së palodhshme në të gjitha drejtimet, dhe njëherësh janë edhe studentë të suksesshëm në drejtime dhe profile të ndryshme në universitetet e Kosovës./fokusi.org/