Sukseset studimore të të riut Pajtim Bytyçi nga Shkoza e Malishevës

28.09.2018 16:01:04

 

T. Nuk e pranuan mësues në shkollën e vendlindjes, u bë kuadër Universitar!

Nt. Pavarësisht nga rezultatet e dalluara në studime, katër-pesë vite më parë, (disa here) nga qeverisja e komunës së Malishevës, është injoruar, nuk është pranuar për punët e mësuesit-mësimdhënësit në shkollën e vendlindjes. Nuk u mor ky kuadër i shkëlqyeshëm, as për mësimdhënien e Ekologjisë si lëndë zgjedhore.

Jusuf Bytyçi

Prishtinë, 28 shtator

Të rinjë e të reja anë e kënd Republikës së Kosovës, pos përballjeve gjatë rrugëtimit të tyre për shkollim, kanë hequr dhe ende po heqin të zitë e ullirit në kërkim të perspektivës dhe një vendi të punës. Ndonëse të përgatitur profesionalisht dhe me grada e tituj të lartë shkencor, jo pak sish, edhe në ditët e sotme kanë telashe të mëdha në punësimin e tyre. Mirëpo, pavarësisht nga përballjet e tyre, shumë të rinj e të reja shqiptare, edhe nga lokalitetet më të thella rurale të fshatore-rave më të largëta nga kryeqendra e Kosovës, kanë vazhduar me ngulm ngritjet e tyre akademike në shkallë të ndryshme të arsimit, edhe jashtë vendit.

I tillë është edhe 28-vjeçari, Pajtim Sylejman Bytyçi, nga Shkoza e Malishevës, i lindur më 1990, në “Motin e Madh të Pajtimit në Kosovë”. Pajtimi është fëmija i tetë, më i vogli i prindërve Miradije dhe Sylejman Durgut Bytyçit.

Ky kuadër i talentuar, të gjitha shkallët e arsimimit i ka kryer me sukses të dalluar, duke qenë edhe bursist i Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, pavarësisht nga rezultatet e dalluara në studime, katër pesë vite më parë, nga qeverisja e komunës së Malishevës, është injoruar, nuk është pranuar për punët e mësuesit-mësimdhënësit në shkollën e vendlindjes. Konkurrimin e Pajtimit, atëherë me master të përfunduar për ekologji në FSHMN të UP-së “Hasan Prishtina”, e kanë injoruar pikërisht kuadrot e Drejtorisë Komunale të Arsimit të Malishevës, e Nismës së Fatmir Limajt. Nuk u mor ky kuadër i shkëlqyeshëm, as për mësimdhënien e Ekologjisë si lëndë zgjedhore në shkollën e vendlindjes së tij në Shkozë.

Pajtim S. Bytyçi, që e njeh shkëlqyeshëm edhe gjuhën angleze, ndonëse i zhgënjyer me veprimet e pushtetit të Malishevës, nuk u zmraps në rrugëtmin e tij për të zënë sa më shumë dije, për arritjet më të larta shkencore-akademike. Ai pati regjistruar studimet e doktoraturës në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjisë Bashkëkohore në Universitetin e Evropës Juglindore në Republikën e Maqedonisë. Ky djalosh shumë i qetë, shumë i edukuar, u dëshmua shumë entuziast për të realizuar synimet e tij studimore. Me arritjet e tij, Pajtimi ka shpërblyer mundin dhe sakrificën e familjes, prindërve dhe sidomos të dy vëllezërve më të moshuar, të cilët përkundër mallit për familje dhe vendlindje, më shumë se 20 vite jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Kjo e bënë edhe më të lumtur Pajtimin, por gjithashtu edhe prindërit, tre vëllezërit tjerë dhe katër motrat e tij.

Ky mund, Pajtimit më në fund iu shpërblye edhe me punësimin e tij. Pos në MMPH, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ky eksepert i dalluar i Ekologjisë, është i angazhuar edhe si asistent në Fakultetin e Bujqësisë të UP-së. Rrugëtimi për dije i këtij të riu gjithnjë të buzëqeshur, vazhdoi krahas punës dhe dy dy ditë më parë, saktësisht më 26 shtator 2018, Pajtim S. Bytyçi, nga Shkoza e Malishevës, me sukses të lartë mbrojti disertacionin e doktoraturës, me titull: “Vlerësimi i statusit ekologjik të pellgut të lumit Lepenc sipas direktivës kornizë për ujërat e Evropës (EWFD, 2000)“, në Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjisë Bashkëkohore në Universitetin e Evropës Juglindore në Republikën e Maqedonisë, dhe e fitoi shkallën (gradën) shkencore Doktor i Shkencave në menaxhimin e mjedisit jetësor.

Pajtim S. Bytyçi, është doktori i parë i shkencës nga Shkoza dhe ndër kuadrot me moshë më të re si doktor shkence në Republikën e Kosovës.

Pra, kuadri i refuzuar për t’u bërë mësues në shkollën e vendlindjes, tash arriti të bëhet jo vetëm kuadër-ekspert në MMPH, por edhe kuadër Universitar!

Për finalizimin e kësaj teme të doktoraturës, Pajtimi ka shprehur fjalë miradie e falënderuese për udhëheqësit e kësaj teme, respektivisht për mentorin, Prof. Dr.Murtezan Ismaili, për ko-mentoren, Prof. Assoc. Dr. Ferdije Zhushi-Etemi, si dhe Prof. Dr. Fadil Millakun. Por, për kontributin e dhënë në realizimin-finalizimin e kësaj teme të doktoraturës, ai ka falënderuar edhe të gjithë profesorët tjerë të Fakultetit, dhe njëherësh kolegët nga MMPH dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, posaçërisht Agron Shalën dhe Shkumbin Shalën, për ndihmesën në analizat e parametrave fiziko-kimikë të mostrave të ujit.

Do shtuar se arritjen e titullit doktor shkence në lëminë e Ekologjisë, Pajtimi, ia ka dedikuar xhaxhit të tij të ndjerë, Hajdin D. Bytyçi, prindërve dhe gjithë familjes së tij.

Pajtim S. Bytyçi, ndërkohë, ndjek me sukses studimet e doktoraturës edhe në FSHMN të Universitetit publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, me synimet për të arritur sa më shumë.

Në fund, këtij kuadri të dalluar jo vetëm nga komuna e Malishevës, i urojmë suksese në punët e tij profesionale dhe ngritjen e mëtejme akademike. Krenohemi me Pajtimin!

Legjenda: Fo potret, Pajtim S. Bytyçi, doktori i parë i shkencës nga Shkoza dhe ndër doktorët më të rinjë me moshë të shkences në Republikën e Kosovës;

Pajtim S. Bytyçi, gjatë mbrojtjes së temës së doktoraturës në Tetovë;

Pajtim S. Bytyçi, me profesorët e tij Top of Form