Sulme ajrore në Siri, 14 të vrarë

09.03.2017 12:45:42

Në sulmet ajrore, të cilat supozohen se janë kryer nga koalicioni ndërkombëtar në një fshat që ndodhet në duart e xhihadistëve në veri të Sirisë kanë humbur jetën 14 civilë, prej të cilëve gjashtë janë fëmijë, ka bërë të ditur të enjten Observatoriumi për të drejtat e njeriut.

“Në sulmet është goditur fshati Matab dhe besohet se këto sulme i ka kryer koalicioni ndërkombëtar, i cili po lufton kundër xhihadistëve të Shtetit Islam”, ka theksuar Observatoriumi.

Matab ndodhet në rrugën strategjike e cila lidh Rakën, çerdhe e xhihadistëve, me qytetin Deir Ezor, në provincën fqinje të pasur me naftë.

Më shumë se 310.000 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës në Siri para gjashtë vjetësh, derisa në Gjenevë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara janë në rrjedhë bisedimet paqësore për përfundimin e luftës dhe tranzicionin politik.