Sulmet ndaj depozitave të armëve kimike në Siri, shqiptarët dhe gjeopolitika botërore

14.04.2018 09:57:33

Ashtu siç kishte paralajmëruar, presidenti amerikan, Donald Trump kiste urdhëruar forcat amerikane të sulmonin depozitat e armëve kimike në Siri, që janë përdorur gjatë viteve kundër popullatës civile në këtë shtet.

Shkruan: Rexhep Kastrati

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg ka mbështetur këto sulme, dhe ka paralajmëruar se kushdo që do të përdorë armë kimike do të ballafaqohet me sulme të tilla. Rusia ka pasur reagime si nga qendra në Moskë, ashtu edhe nga ambasadori i saj në SHBA. Rusia ka kujtuar se Siria ka përballuar sulmet me anë të mbrojtjes kundërraketore sovjetike, kurse ambasadori rus në SHBA ka paralajmëruar pasoja të rënda, pa përmendur se çfarë pasojash.

Është për të theksuar se vendosmërisë amerikane për të mos lejuar në pafundësi regjimin e Bashar Al Asadit që të përdorë armë kimike kundër civilëve, i janë bashkuar edhe Britania e Madhe dhe Franca, duke bërë të qartë se në këtë vend, pra në Siri, po ndryshon gjeopolitika botërore.

Të kujtojmë se në rastin e sulmeve amerikane në Irak, Franca jo vetëm që nuk ishte përfshirë, por kishte qenë shumë kritike, kurse tash në Siri kishte paralajmëruar që më parë se do të sulmonte.

Në fakt, Franca më shumë, por edhe Britania e Madhe kanë një histori të përfshirjes së tyre në Lindjen e Mesme dhe të Afërt që nga shekulli i XIX, kurse ka një histori të koketimit të Parisit zyrtar me regjimet autokratike në shtete të tilla si Libia etj.

Në këtë pikë, është për të pritur reagimet e Turqisë, e cila ditë më parë kishte arritur një si tip marrëveshje me Rusinë dhe Iranin, duke provokuar rëndë aleancën dhe SHBA-të, për shkak se shteti turk është anëtare e NATO-s dhe mëtuese për t’u bërë anëtare e BE-së.

Pra, Turqia kishte mëtuar që nëpërmjet marrëdhënieve me Rusinë dhe Iranin kishte mëtuar të ndryshonte gjeopolitikën botërore, duke prishur kështu baraspeshën e krijuar pas Luftës së Ftohtë, dhe duke u bërë pjesë e strategjisë ruse të përfolur vazhdimisht për goditjen e NATO-s nga brenda dhe BE-në.

Aludimet dhe paralelizmat e Srisë me Kosovën, kanë qenë të herëpashershme, sepse, siç ka thënë Daniel Server, zhvillimet në Siri janë hakmarrje e Rusisë ndaj SHBA-ve për shkak të Kosovës, kurse Beogradi, që nga viti 2015 vazhdimisht e ka krahasuar Kosovën me Sirinë.

Sulmet amerikane ndaj caqeve siriane, në fakt kanë qartësuar edhe më shumë se përse Serbia ka krahasuar Kosovën me Sirinë, por edhe përse Rusia ka ndërsyer regjimin sirian drejt një lufte të brendshme, por me reflektime rajonale dhe më gjerë.

Në këtë kontekst, duhet thënë se sulmet amerikane në Siri kundër depozitave të armëve kimike në këtë shtet do të duhej të vendosnin shtetet dhe popujt në përballje me sistemin e vlerave që mbron civilët nga regjimet që përdorin armë kimike apo të shkatërrimit në masë, ose të jenë në anën tjetër, ku jeta e njerëzve është më e lirë se helmet, amrët kimike, armët e shkatërrimit në masë.

Sulmet amerikane mbi depozitat e armëve kimike në Siri, përfundimisht kanë hapur dhe legjitimuar ndëshkimin e plotë të atyre që do të guxojnë të përdorin amrë të tilla kundër popullatës civile. Nga tash, kushdo që do të guxojë të përdorë armë kimike dhe të shkatërrimit në masë e ka të qartë se do të ballafaqohet me sulme të tilla.

Mbi këtë bazë është e qartë se do të ndërtohet edhe një gjeopolitikë e re, e në të cilën, shqiptarët si komb dhe dy shtetet tona duhet të kenë kujdes që të mos gabojnë në renditjen e tyre. Gjithsesi busolla amerikane e ornetimit gjeopolitik duhet të jetë edhe busolla e shqiptarëve si komb.

Kur them këtë, kam parasysh faktin se konteksti i ri gjeopolitik do të vëjë në sprovë edhe unitetin e BE-së dhe të NATO-s, por edhe pozitën e Turqisë, e cila në përpjekje për të rritur rolin e saj në gjeopolitikën botërore, edhe mund të mos jetë në një vijë me SHBA-të.