Sulmi ndaj Agron Mustafës dhe historia e kapjes së shtetit

31.12.2017 12:17:36

Nga Rexhep Kastrati

Rasti i sulmit të kryer ndaj Agron Mustafës së Post-Telekomit të Kosovës, pavarësisht motiveve, është një ndër sulmet më tipike që duhet të hedhë dritë mbi sistemin e dhunës dhe të krimit në Kosovē.

Përfshirja e një punonjësi të policisë në këtë sulm, është tepër shqetësues, kurse heshtja e drejtuesve të shtetit është mjaft domethënës. Përfshirja e punonjësve të policisë, të TMK-së, tash FSK-së në raste dhune dhe krimi është një çështje thelbësore që do të zbardhet bashkë me zbardhjen e vrasjeve politike, dhe në thelb burimin e ka te zanafilla e institucioneve të përbashkëta me UNMIK-ut dhe te Marrëveshja për Çmilitarizimin e UÇK-së. Sipas kësaj Marrëveshjeje, nga Drejtoria politike do të dilte një parti politike, kurse nga UÇK, një pjesë do të kalonte në TMK, kurse një pjesë tjetër në Shërbimin Policor të Kosovës.

Nga Drejtoria politike e UÇK-së ka dal PDK, AAK, kurse nga UÇK janë bartur njerëz të përzgjedhur nga SHP i UÇK-së, e që kanë bartur edhe ndikimin, kontrollin politik dhe çdo kontroll tjetër mbi këto dy institucione të rëndësishme të vendit. Dhe kontrolli ka arritur nga nivelet e larta, e deri te nivelet më të ulta të tyre.

A janë përfshirë pjesëtarë të Policisë dhe të TMK-së në krime dhe vrasje politike? A janë përfshirë pjesëtarë të këtyre institucioneve në prishjen e provave dhe të dëshmive? A janë të përfshirë në aksione kërcënimi dhe dekonspirimi të dëshmitarëve, të aksioneve të zbulimit dhe të hetimit? Zhdukja e dosjeve, zhdukja e provave nga Dhoma e dëshmive, dhe informacionet për dëshmitarë të kërcënuar, por edhe të blerë sikur konfirmojnë përgjigje pozitive në pyerjet e mësipërme dhe të gjitha këto janë pjesë të kapjes së shtetit.

Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe informacionet për një veturë që kushuriri i Valdete dhe Vjosa Osmanit, Ismet Osmani ” Curri i kishte dhënë Bajram Rexhepit, atëherë ministër i Punëve të Brendshme. Nuk është jashtë këtij konteksti edhe fakti se drejtuesi i FSK-së, Kadri Kastrati ka kaluar në PDK, por edhe vendosjen në krye të policisë të njerëzve të lidhur me PDK-në dhe partitë tjera si ajo, siç ishte rasti i Shermet Ahmetit, por edhe jo vetëm ky.

Këto aspekte në masë të madhe kanë penguar profesionalizmin dhe depolitizimin e tyre, kurse pjesëtarë të formuar profesionalisht dhe me integritet moral dhe profesional, janë ballafaquar dhe ballafaqohen me vështirësi të ndryshme.

Brenda këtyre institucioneve bëhet një përpjekje për të mbajtur kontrollin dhe përpjekje për t’u liruar nga kontrollet politike dhe të jashtme në përgjithësi, dhe këto përpjekje po bëhen larg syve të opinionit dhe në kuadër të angazhimeve për çkapjen e shtetit.

Në këtë kontekst, përfshirja e njerëzve me uniformë në sulmin ndaj Agron Mustafës në mënyrë kaq të hapur, duhet parë ose si vazhdimësi e përfshirjes së pjesëtarëve të policisë në raste dhune dhe konfirmim se mund të ketë tendenca për përfshirjen e saj në angazhime destabilizuese për të penguar proceset, ose edhe elementet e një lufte brenda llojit për shkak të mundësisë që vetë Agron Mustafa të jetë pjesë e ndonjërit grupacion.