Sulmi ndaj RTK-së: vetëm tash kujtohi për fjalën e lirë?

23.08.2016 16:10:40

Nga Rexhep Kastrati

Sulmi i mbrëmshëm ndaj RTK-së ka shqetësuar opinionin e gjerë, por edhe politikës ia ka dhënë mundësinë që të shprehë hipokrizinë e saj lidhur me lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe lirinë e shpërfaqjes së opinionit publik. Kjo nuk do të thotë se ky sulm nuk është sulm mbi lirinë e shprehjes, por po ashtu është shumë e vërtetë se liria e shprehjes në Kosovë është cenuar shumë dhe kryesisht nga politika dhe bizneset e lidhura me të. Vetë RTK ka qenë vazhdimisht institucioni medatik ku tepër shumë është vërejtur mungesa e lirisë së shprehjes dhe e profesionalizimit, pasi që, që nga themelimi është venë nën një kontroll të rreptë të themeluesit – OSBE-së dhe të PDK-së, AAK-së etj. Të kujtojmë me këtë rast se ky institucion medatik, edhe në aspektin menaxherial ka qenë dhe ka mbetur institucion i kontrolluar nga segmente të politikës, por edhe institucion mediatik ku nepotizmi është në shkallën më të lartë të mundshme. Megjithatë, kur sulmohet në atë mënyrë qysh është sulmuar RTK, vërtet është për të ardhur keq dhe për të shprehur indinjatën e thellë, por po ashtu jep rastin për të kujtuar edhe njëherë se që nga paslufta e këndej, liria e shprehjes, disa gazetarëve u ka kushtuar me jetë, disa të tjerëve me sulme, kërëcënime, izolim dhe me pamundësim të ushtrimit të profesionit. Kur flitet për sulmin ndaj RTK-së, duhet kujtuar edhe vrasjen e Ali Ukajt, Afrim Maliqit, Enver Malokut, Shefki Popovës, Xhemail Mustafës, Bekim Kastratit e Bardhyl Ajetit, vrasjet e të cilëve nuk janë dënuar kurrë, dhe nuk është bërë asgjë për t’u zbardhur, por po bëhet shumë për të mos u zbardhur kurrë. Gjatë këtyre viteve nuk është folur për cenim të lirisë së shprehjes, por përkundrazi është bërë shumë për cenimin e kësaj lirie,qoftë nga politika, qoftë nga biznesi, por edhe nga vetë mediat që kundrejt shumave të ndryshme të parave apo të ndonjë përfitimi tjetër, u bënë cenuese të lirisë së shprehjes dhe propganduese të politikave korruptive dhe kriminale. Vetëm agjensi ndërkombëtare në raportet e tyre kanë vlerësuar se liria e shprehjes është e cenuar shumë në Kosovë nga politika dhe biznesi, përkatësisht nga strukturat mafiozo-politike. Dhe kur lexon apo dëgjon pjesëtarë të strukturave mafiozo-politike, rekrutë shqiptarë agjenturash të ndryshme dhe eksponentë të ndryshëm korrputpibvë dhe kriminalë që gjatë viteve kanë udhëhequr korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kanë cenuar rëndë deri në eliminimin e gazetarëve që flasin për lirinë e shprehjes, vërtet është për të kapur kokën dhe për të thirrur me zë të lartë: asnjë çirrje, asnjë shtirje, asnjë hipokrizi nuk i lan duart e juaja me gjakun e gazetarëve të vrarë, nuk i lan gjurmët e rënda të shpresave të thyera për lirinë, pra edhe për lirinë e shprehjes, nuk i lan intirgat që keni bërë dhe vazhdoni të bëni ndaj fjalës së lirë, ndaj atyre që nuk heqin dorë nga fjala e lirë! Sulmi ndaj RTK-së, është i dënueshëm, dhe ky dënim duhet të jetë i sinqertë, e jo hipokrit, jo për marketing politik, kurse kryesit e këtij sulmi janë në mesin e politikës dhe të atyre që ka mbi një vit e gjysëm që nuk lanë gjë pa bërë për t’ia vënë flakën Kosovës. Prandaj, edhe dënimet verbale të sulmit ndaj RTK-së, nuk zbehin fare përgjegjësinë e gjithë atyre që me angazhimet e tyre, me nxitjet e tyre manipuluan dhe po manipulojnë ndjenjat e njerëzve për qëllime personale, për qëllime karrigesh dhe për qëllime kundërshqiptare! Ky sulm veçsa ka nxjerrë në sipërfaqe karakterin anarkist, destabilizues, e pse jo edhe terrorist në Kosovë të strukturave mafiozo-politike, dhe ua ka bërë të qartë gjithë shqiptarëve se sa thellë janë zhytur në angazhime kundërshtetërore dhe kundërkombëtare.