Sulmi në ndërtesën e Kuvendit: As dhjetëmijë eurot e ofruara nuk po kryejnë punë

08.08.2016 10:33:56

Edhe pse kanë kaluar disa ditë, ende nuk ka informacione lidhur me sulmuesit e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës. Daut Hoxha, i pyetur së fundmi nga Radio Evropa e Lirë, nuk ka ndryshuar gjë nga deklaratat e tij fillestare lidhur me sulmin.

“Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet, përderisa duke vlerësuar faktet, rrethanat dhe kohën në të cilën ka ndodhur sulmi, përveç trajtimit profesional të dëshmive që janë gjetur, policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 10, 000 eurosh për cilindo qytetar që ka sado pak informacione që mund të shpien në kapjen sa më të shpejtë të kryesve të këtij akti kriminal”, thotë Hoxha.

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës është bërë në 4 gusht rreth orës 23 me mjete lufte, dhe që atëherë nuk ndonjë informacion mbi kryesit e këtij sulmi, përveçse supozohet që kanë qenë dy dhe se motori me të cilin janë larguar nga vendi i ngjarjes është gjetur i djegur në “Taukbashqe”.