Sulmi në Nju Jork, atentatori ishte frymëzuar nga ISIS-i

12.12.2017 10:40:56

Një 27-vjeçar, i ashtuquajtur “ujk i vetmuar”, i cili dyshohet të jetë frymëzuar nga Shteti Islamik, por që nuk ka pasur kontakte me grupe terroriste: është ky profili i Akayed Ullah, emigranti nga Bengali i arrestuar për shpërthimin pjesërisht të bombës artizanale që mbante në trup në stacionin e autobusëve Port Authority, në zemër të Manhatanit.

Ullah ka mbetur i plagosur së bashku me tre persona të tjerë dhe tani ndodhet në gjendje jo të rëndë në Bellvue Hospital të Nju Jorkut.

FBI ka nisur hetimet për jetën e 27-vjeçarit, i cili dyshohet të ketë “vepruar” i vetëm. I riu kishte mbërritur në SHBA me prindërit dhe vëllezërit e tij në shkurt 2011, me një vizë emigracioni, më pas ka marrë leje qëndrimin amerikan. Jetonte në Bruklin dhe nga marsi 2012 në mars 2015, kishte një licencë si taksist makinash me qira. Pastaj kishte nisur punë në një kompani që merrej me materiale elektrike dhe pikërisht këtu ka ndërtuar bombën artizanale.

Sipas policisë lokale, i riu nuk kishte asnjë precedent në Bangladesh. Për momentin, detajet mbi jetën e tij nuk janë të mjaftueshme, por gjithsesi të rëndësishme për ta cilësuar një “ujk të vetmuar” si atentatori i Chelseat, Ahmad Rahami, 28 vjeç apo si Sayfullo Saipov, uzbeku 29 vjeçar, autori i masakrës së Halloween-it në jug të Manhatanit, 31 tetorin e shkuar.