Sulmohet me eksploziv dhe plaçkitet bankomati i TEB Bankës në Prishtinë (Foto)

07.04.2019 12:17:28

Sot në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me eksploziv dhe është plaçkitur bankomati i TEB Bankës në Rrugën “Nazim Gafurri” afër udhëkryqit të “Taukbahçes”, në Prishtinë.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit grabitësit e kanë sulmuar me eksploziv dhe kanë plaçkitur paratë në bankomatin e TEB Bankës në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

“Më 07.04.2019 rreth orë s 04:00 në Rrugën ‘Nazim Gafurri’-Prishtinë është raportuar rasti vjedhje e bankomatit. Nga informacionet e para dyshohet se 4 persona te dyshuar, kanë depërtuar me forcë në objektin ku ka qenë i vendosur bankomati. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes është ngritur dyshimi se te dyshuarit duke përdorur substance shpërthyese kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të parave nga kasaforta e bankomatit dhe më pas janë larguar nga ai lokacion me veturën e tyre”, tha Borovci, për Telegrafin.

Sipas tij, policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim identifikimin e të dyshuarve si dhe ndriçimin e plotë të rastit.

Ngjitur e bankomatin e TEB-it ka qenë edhe ai i Raiffeisen Bank, por i njëjti kësaj radhe është kursyer nga grabitësit.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti janë shpeshtuar rastet e grabitjeve të armatosura të bankave dhe institucioneve të ndryshme financuare në Kosovë.

Si pasojë e një grabitje të tillë muaj më parë në Istog, gjatë grabitjes së një banke, u vra në polic i Kosovës dhe vetë grabitësi i bankë.