Sulmohet me shishe xhami autobusi i Kosovës në Serbi, më pas përcjellët me vetura pa targa

13.06.2019 12:58:00

Me shishe xhami është sulmuar mbrëmë në Serbi autobusi me kosovarë,  i cili kishte destinacion Slloveninë.

Sulmin ndaj autobusit kosovarë e kanë konfirmuar ,Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët dhanë detaje rreth këtij sulmi.

“I kanë gjuajtur me shishe të xhamit nga ura, autobusi ishte në lëvizje në autostradë dhe më pas janë ndjekur nga disa vetura pa targa, janë tmerruar udhëtarët. Ideja ka qenë më nxjerr autobusin nga rruga, pasi që ka qenë në shpejtësi, sulmi ka ndodhur mbrëmë pas mesnate”, thonë në përgjigjën e dhënë nga MPJ.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme thuhet se ajo çfarë ka ndodhur mbrëmë është dramatike dhe se kanë mundur të humbasin jetën shumë persona.

Kjo nuk është hera e parë që autobusët e Kosovës sulmohen në shtetin e Serbisë.

Ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë. Kjo sepse Serbia nuk është më një territor, i cili nuk ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre”, thuhet në njoftim e MPJ-së.