Sulmoi mjekun gjatë detyrës, çfarë e pret gjilanasin?

22.01.2019 17:46:34

R.H nga Gjilani dyshohet se ka sulmuar një mjek kujdestar në Shtëpinë e Shëndetit në një fshat të Gjilanit, meqë nuk i ofruan ndihmë mjekësore për vajzën dy vjeçare.

Gjilanasi po akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar.

“Sipas aktakuzës, më 26 dhjetor 2018, në Shtëpinë e Shëndetit, në fshatin Zhegër, komuna Gjilan, i pandehuri R.H., me dashje, me përdorimin e atëçastshëm të dhunës dhe me kanosje serioze për sulm, e ka sulmuar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, mjekun kujdestar, tani të dëmtuarin F.Q.” thuhet në raportin e policisë.

“I pandehuri ka ndërmarrë këto veprime, pasi që mjeku kujdestar, për shkak të grevës së përgjithshme, nuk i ka ofruar ndihmë mjekësore vajzës së tij dy vjeçare, ku i njëjti i revoltuar shkon në shtëpi dhe merr një sëpatë, me të cilën tenton t’a godet, mirëpo i dëmtuari arrin që t’a kapë sëpatën me dorë, me ç’rast të dy kacafyten mes vete, derisa aty ndërhyjnë policia dhe e arrestojnë të pandehurin”, thuhet në njoftim të prokurorisë

I pandehuri, që nga data 28 dhjetor 2018, gjendet nën masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.