Sulmuesi i Munihut ishte pacient i psikiatrisë

24.07.2016 17:17:57

Autoritetet gjermane kanë thënë se personi qe dyshohet se e kreu sulmin e 22 korrikut në Munih, ku u vranë nëntë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë, vitin e kaluar ka qenë për dy muaj pacient në Spital Psikiatrik, si pasojë e depresionit.

Thomas Steinkraus-Koch, zëdhënës i Prokurorisë së Mynihut, ka thënë sot para gazetarëve se 18-vjeçari “është trajtuar në vitin 2015”.

Sulmuesi i dyshuar është identifikuar si Ali Sonboly, i lindur dhe rritur në Munih, por me prejardhje familjare nga Irani.

Policia ka thënë se ai është gjetur i vdekur një kilometër larg vendit ku e ka nisur sulmin, ndërsa mundësitë më të mëdha janë që ai ka bërë vetëvrasje.

Steinkraus-Koch thotë se ai ka vuajtur nga “frika e kontaktit me të tjerët” dhe forma të tjera të depresionit.

Shefi i policisë së landit të Bavarisë, Robert Heimberg ka thënë sot se i dyshuari e ka planifikuar sulmin e 22 korrikut për një vit.