Suning “fut duart” edhe në Bundesligë

04.04.2017 13:58:27

Interesi i Suning për përfshirje dhe zgjerim në futbollin europian nisi me blerjen e Interit në Serinë A, por nuk mbyllet në Itali.

Grupi i miliarderëve kinezë duket se ka arritur që të “fusë duart” edhe në Bundesligën gjermane dhe këtë e ka bërë jo përmes blerjes së ndonjë klubi, por duke blerë e të drejtave televizive për të paktën pesë vite.

Sipas asaj që raporton “Kicker”, Suning ka ofruar 230 milionë euro për të drejtat televizive për Kinën të kampionatit elitar gjerman, nga 2018 deri në 2023 dhe duket se ka marrë miratimin nga drejtuesit e federatës.

Presidenti i federatës gjermane të futbollit, Christian Seifert thotë se janë njoftuar klubet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 për këtë pakt të arritur në mesin e muajit mars.

“500 milionë tifozë të futbollit në Kinë janë një mundësi e mirë zgjerimi për klubet tona”, thotë ai.

Nëse gjithçka vuloset, atëherë Bundesliga do të bëhet kampionati i tretë europian që shet të drejtat e transmetimit në Kinë, pas Premier Ligës angleze dhe La Ligas spanjolle.