Super Mario rikthehet në formacion me dopietë, Nice thellon diferencën me PSG

18.12.2016 18:09:16

OGC Nice fitoi kundër Dijon dhe thellon diferencën me PSG që nuk arriti të fitonte ndeshjen e javës së 18 teksa u mund nga Guingamp me rezultatin 2:1. Heroi i ndeshjes së sotme ishte sulmuesi italian Mario Balotelli. Pas disa javësh pushim për shkak të një dëmtimi, kjo ishte ndeshja e parë që bomberi e fillon që nga minuta e parë. Dhe nuk ikën pa lënë shenjën e tij duke shënuar dy gola që i kanë dhënë triumfit ekipit të tij.

Goli i parë erdhi nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit. Balotelli vendos topin me qetësi dhe e shndërron në gol duke goditur me gjakftohtësi në të majtë, krahu i tij i preferuar. Por përpara se të përfundonte pjesa e parë është Tavares ai që ka barazuar rezultatin përkohësisht duke bërë miqtë të shpresonin për një rezultat pozitiv. Por me fillimin e pjesës së dytë skuadra vendase mbështetet sërish te potenciali i qendërsulmuesit italian dhe në minutën e 50’ ai shënon golin e dytë personal.

Pas një topi të bukur të dhënë nga Souqet ai futet në mes të dy kundërshtarëve dhe nga shumë pranë portës arrin ta shtyjë me një të prekur të lehtë topin drejtë rrjetës. Ripërsëritja e golit mund të sugjerojë se Balotelli ishte pozicion jashtë loje por arbitri anësor e ka quajtur të vlefshëm dhe ajo është gjëja që vlen. Me këtë fitore Nice shkon në kuotën e 43 pikëve, katër pikë larg Monaco që ka një ndeshje më pak dhe shtatë pikë larg kampionëve në fuqi PSG.