Sveçla, Abrashi e Gjini takuan Gjuriqin në Tiranë, në Kosovë ai ishte arrestuar

07.12.2019 22:23:55

Të gjithë qytetarët e Kosovës e njohin Gjuriqin.

Nëse jo për aktivitetin e tij politik, atë e njohin nga 26 marsi i vitit të shkuar kur ishte arrestuar në Mitrovicë të Veriut, e më pas ishte sjellë me forcë në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Në fakt, arrestimi i Gjuriqit kishte prodhuar skena spektakolare, teksa zyrtari serb që është drejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ishte prangosur për shkak se e kishte shpërfillur shtetin e Kosovës, duke mos marrë lejë për të hyrë brenda territorit.

Sidoqoftë, ishte pikërisht Gjuriq ai që sot zhvilloi një takim me disa zyrtarë jo pak të rëndësishëm të Kosovës.

Xhelal Sveçla, Arban Arbrashi e Ardian Gjini u takuan sot në Tiranë me Gjuriqin.

Ndonëse në një ambient që nuk e jep përshtypjen si zyrtar, në fotot e  publikuara nga Express, shihet deputeti i VV-së që diskuton diçka me zyrtarin serb.

Takimi u zhvillua në Tiranë, e jo në Kosovë, e ndonëse u tha se ka pasur edhe zyrtarë tjerë nga shtete tjera, nuk u përmend asnjë emër se cilët kanë qenë ata që ishin pjesë e këtij takimi.

Gjuriq, jo rrallë herë e ka sfiduar shtetin e sovranitetin e Kosovës. Edhe në të kaluarën kur i ishte lejuar hyrja në Kosovë, Gjuriq do të jepte deklarata propagandistike kundër shqiptarëve.

Aksioni i 26 marsit, kur Gjuriq u arrestua nga Njësitë Speciale të Kosovës,  nuk do të kalonte pa u komentuar as nga vetë Sveçla, personi që sot u takua me zyrtarin e Beogradit të lartëpërmendur.

Madje, Sveçla atë kohë tregohej shumë i ashpër, teksa thoshte se Gjuriq është dashur të mbetet në arrest për t’u vendosur drejtësia, e madje të akuzohet nga Prokuroria kosovare.

“Gjuriq është dashur të mbetet në arrest për t’u vendosur drejtësia me proces të rregullt gjyqësor dhe është dashur të akuzohet si për kalim ilegal të kufirit ashtu edhe për cenim të integritetit territorial të Kosovës”, kishte thënë për “Bota Sot” Sveçla, saktësisht dy ditë pas aksionit të arrestimit.

Situata ende është e paqartë teksa nuk dihet nëse një takim i tillë si ky i mbrëmjes së sotme ishte planifikuar të mbahej në Kosovë, edhe pse do të kishte pak gjasa të ndodhë për shkak të deklaratave të fundit të bëra nga Gjuriq.

Hiç më larg se para dy ditësh, ai kishte fyer viktimat e masakrës së Reçakut, e këtë ngjarje tragjike e kishte quajtur “gënjeshtër”, për çka kishte pasur reagime jo veç të Kosovarëve, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.