Syla: Vizita e Bidenit, më e rëndësishmja në vitet e fundit

17.08.2016 18:30:38

Drejtori i Informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, në emisionin Info Magazine të këtij televizioni ka thënë se vizita e nënpresidentit amerikan, Joe Biden, është më e rëndësishmja për Kosovën në vitet e fundit.

Ai ka deklaruar se prezantimi i familjes nga Bideni ishte moment prekës, si edhe premtimi i tij që secili anëtar i familjes do të vijë në Kosovë për të vizituar rrugën e emëruar sipas të birit, Beau – që për disa vjet ka punuar në formate të ndryshme misionesh në vend.

“Fakti që një zëvendëspresident i Amerikës vjen në fillim dhe në fund të mandatit të tij, tregon për mbështetjen që ai i ka dhënë këtij vendi dhe vazhdon t’i japë Kosovës”, ka thënë ai.

Syla është shprehur se fjalimi i Bidenit ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa mos prezencën e opozitës në takimet që ai zhvilloi në Kosovë i ka lidhur me organizatorin e kësaj pritjeje, që në këtë rast ishte Qeveria e Kosovës.