Synohen bisedime me deputetët, për t’i siguruar votat për Demarkacionin

03.09.2016 13:04:44

Dy partitë në koalicionin qeverisës PDK-LDK, synojnë që përmes bisedimeve me grupet parlamentare dhe me deputetët e tyre të sigurojnë votat e mjaftueshme për miratimin e Demarkacionit, para se ajo të dërgohet sërish në Kuvendin e Kosovës.

Të enjten me kërkesë të kryeministrit, Isa Mustafa, miratimi i marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është hequr nga rendi i ditës në Kuvendin Kosovës.

Mustafa këtë e ka arsyetuar se nuk ka kushte për t’u votuar, pasi Lista Serbe që është pjesë e koalicionit, ka kushtëzuar votën për Demarkacionin, ndonëse kjo është mohuar nga përfaqësues të saj, duke thënë se ata nuk kanë marr pjesë në seancë për shkaqe sigurie.