Taçi nuk u pa në pritjen e bashkësisë Islame

12.09.2016 14:50:57

Për dallim nga drejtues të institucioneve të tjera dhe të partive politike, në pritjen e organizuar nga BIK për urimet për Kurban Bajram nuk është shfaqur as presidenti as ndonjë përfaqësues i Presidencës.

Liderë institucionalë e përfaqësues të partive politike kanë uruar sot Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës në pritjen e organizuar nga kjo e fundit me rastin e festës së Kurban Bajramit.Ata janë pritur nga zëvendësi i kryetarit të BIK-së, Reshat Mexhiti.

Kryeministri Isa Mustafa tha se duhet të punohet për të çuar përpara proceset e zhvillimit të vendit ndërsa konsideroi se gjendja në Kosovë po përmirësohet për çdo Bajram.

“Unë jam i lumtur që çdo Bajram po e kremtojmë në një gjendje më të mirë edhe shpirtërore edhe ekonomike dhe dëshiroj që të punojmë bashkërisht që njerëzit të ndihen mirë dhe bashkërisht t’i çojmë proceset përpara”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se duhet më shumë paqe e dashuri në mes vete.

“Shpresoj që nuk duhet ta kujtojmë njëri-tjetrin vetëm në ditë të veçanta si është kjo ditë e Bajramit por ta ndihmojmë e respektojmë njëri-tjetrin çdo ditë dhe ta respektojmë më së shumti identitetin tonë, kombin tonë dhe shtetin tonë”, tha Veseli.

Ndërsa, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se Bajrami është festë që transmeton porosi.

“Kjo festë e jona e ka një porosi të mirë. Porosia është me qenë pranë njëri-tjetrit, pra solidariteti e sakrifica. Populli jonë e ka kultivu sakrificën në të gjithë kohërat, edhe në këtë kohë duhet të jemi afër njëri-tjetrit”, tha Haradinaj.

 

 

Bashkësinë Islame dhe besimtarët myslimanë i ka uruar edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, don Lush Gjergji.

“Urojmë nga zemra Bajramin e vogël. Quhet i vogël por e ka një domethënie të madhe sepse flijimi, dhurimi, dashuria për Zotin përforcohet përmes afrimit dhe duhet të jetë më e madhe”, tha ai gjatë vizitës në Bashkësinë Islame.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se gatishmëria për sakrificë është rruga e vetme përpara drejt një shoqërie të barabartë, shkruan kallxo.com

“Konsideroj se është e domosdoshme që secili prej nesh ta kuptojmë rëndësinë e bashkëjetesës mes njerëzve të barabartë si bashkëjetesë në mes të njerëzve të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe bashkërisht si njerëz që ndërtojnë institucione të cilat pastaj kolektivisht ia mbrojnë interesin”, tha Ymeri.

Në vizitë mungoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. As ai as ndonjë përfaqësues i Presidencës nuk erdhi për urime në BIRK.

Zëvendësi i kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës Reshat Mexhiti tha se nga Presidenca nuk ka pasur asnjë paralajmërim përse nuk kanë ardhur.