TAHIRI: ALEANCA JONË STRATEGJIKE ME SHBA-TË DO TË JETË E PËRHERSHME

29.03.2017 14:50:10

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka pritur dje në takim Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit  Hoyt Brian Yee, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë, marrëdhëniet e shkëlqyera mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe avancimin e ardhmërisë euro-atlantike të Kosovës.

Pas këtij takimi, ministrja Edita Tahiri ka deklaruar se takimi me Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee ishte shumë i rëndësishëm, ku u rikonfirmua partneriteti strategjik me SHBA-të në të gjitha proceset që forcojnë shtetin e Kosovës dhe integrimin euroatlantik të tij.

“Aleanca jonë strategjike me SHBA-të do të jetë e përhershme dhe Kosova po punon për një shtet të suksesshëm, që është qëllim përbashkët i Kosovës dhe SHBA-ve”, theksoi ministrja Tahiri, duke shtuar se roli udhëheqës i SHBA-ve do ta mbaj rajonin në paqe dhe stabilitet, ndërsa do të evitoj ndikimet negative të atyre që po shfaqin ambicie të rrezikshme gjeopolitike ndaj rajonit.