Tahiri: Bashkëpunim me qytetarët për sigurinë

17.01.2017 14:07:52

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, gjatë përurimit të Zyrës së Shërbimeve Qytetare dhe të “Njësisë Shqiponja” në Gjirokastër , u shpreh se qarku i Gjirokastrës është shembullor sa i përket bashkëpunimit të policisë me qytetarët dhe fakton më së miri rilindjen e Policisë së Shtetit.

“Zyra e Shërbimeve është shumë e rëndësishme për ne, sepse shton mundësinë për t’u shërbyer qytetarëve. Deri dje ishte shumë e vështirë, në mos e pamundur, t’u shërbeje qytetarëve në Policinë e Shtetit. 22 Zyrat e Shërbimit në të gjitha drejtoritë e qarqeve në mbarë Shqipërinë vetëm vjet kanë dhënë mbi 350 mijë shërbime. Sepse ne mendojmë se besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit duhet të kalojë pa asnjë dyshim, nga shërbimet”, tha Tahiri.

Sipas ministrit, është kjo arsyeja pse u shërbehet qytetarëve me transparencë, pa korrupsion dhe mbi të gjitha me shërbim në kohë. “Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar besim. Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar integritet në Policinë e Shtetit. Kjo është mënyra e vetme për t’i shërbyer qytetarëve. Kjo është mënyra e vetme për t’u bërë bashkë për të ndërtuar lagje, qytete dhe komunitete më të sigurta”, vijoi Tahiri.

Ministri Tahiri tha se Gjirokastra është shembull i mirë i bashkëpunimit të qytetarëve me policinë. “Këtu në Gjirokastër dhe në të gjithë qarkun e Gjirokastrës ‘Zyrat e Shërbimit ndaj Qytetarëve’ japin shërbim për qytetarët duke theksuar mbi të gjitha standardin dhe cilësinë e shërbimeve që jep Policia, për qytetarët nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër, është ndër qarqet më shembullorë përsa i përket bashkëpunimit që ka Policia me komunitetin, në ofrimin e më shumë standardeve të sigurisë, në raport me publikun, me qytetarët, me komunitetin vendor e kështu me radhë”, tha Tahiri.

“Ne besojmë shumë që duke u bërë bashkë me qytetarët mund të kemi më shumë siguri për lagjet, qytetet dhe komunitet tona. Ne besojmë shumë që përkundër rrënimit të deri djeshëm të Policisë, kjo e fundit sot ka rilindur duke bashkëpunuar më mirë me qytetarët dhe duke i dhënë më shumë shërbim dhe duke ofruar më shumë siguri. Gjirokastra është një ndër qarqet që dëshmon më së miri këtë. Ashtu si ne besojmë që duhet të përmirësojmë akoma më shumë punën tonë. Ka ende shumë punë për të bërë. Ka ende më shumë hapësirë për të bashkëpunuar akoma më mirë me qytetarët. Ka ende mundësi për të punuar më mirë. Por ne jemi këtu për të justifikuar besimin që na kanë dhënë qytetarët, nëpërmjet punës, nëpërmjet gjithçkaje që mund të bëjmë, për të pasur një Polici më të mirë që shërben më mirë dhe që ofron më shumë siguri për qytetarët”, tha Tahiri.