Edita Tahiri: Dialogut me Serbinë duhet të zhvillohet në dy nivele

02.05.2017 16:32:08

Ministrja për dialog Edita Tahiri mendon se vazhdimi i dialogut me Serbinë duhet të zhvillohet në nivel të lartë dhe të hyjë në fazën përmbyllëse.

“Mendoj se duhet të jetë niveli më i lartë i vendit dhe më gjithëpërfshirës, diçka e ngjashme siç ka qenë në bisedimet e Vjenës”, është shprehur Tahiri në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën.

Radio Kosova: Zonja Tahiri, unë bisedova pak më herët me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës dhe ai më tha se pas lirimit të zotit Haradinaj, kanë pushuar rrethanat të cilat kishin sjellë deri te pezullimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me fjalë të tjera me automatizëm përsëri është hapur rruga për rifillimin e dialogut në Bruksel. Kur pritet të ndodhë kjo?
Edita Tahiri: Me faktin se është liruar zoti Haradinaj ku është shënuar edhe një fitore ndaj Serbisë, tashmë është hequr vendimi për pezullimin e dialogut me Serbinë që ishte bërë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe procesi ka filluar në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura që janë në pritje të zbatimit. Ndërsa, për sa i përket vazhdimit të dialogut, mendoj se tani duhet të flitet për zhvillim të dialogut në dy nivele: Niveli i parë është që të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që kanë mbetur pa u zbatuar,  kurse ndërkohë të përgatitet një proces politik i nivelit të lartë me të cilin ne duhet hyrë në fazën e tretë, që dot ë jetë dhe faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë.

Radio Kosova: Çfarë synoni të arrini në këtë fazë të tretë zonja Tahiri?
Edita Tahiri:Në këtë fazë përmbyllëse, synimi jonë është që të arrihet njohja reciproke mes dy shteteve. Për sa i përket përgatitjeve për këtë nivel, në instancat më të larta  të institucioneve shtetërore, duhet të zhvillohen konsultat për formatin e dialogut dhe të delegacionit përfaqësues, e që unë mendoj se duhet të jetë niveli më i lartë i vendit dhe më gjithëpërfshirës, pra një delegacion gjithëpërfshirës, diçka e ngjashme siç ka qenë në bisedimet e Vjenës…

Radio Kosova: Po mendoni se dialogu duhet të vazhdojë në formatin më të lartë mes dy Presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë?
Edita Tahiri: Tani për këtë çështje brenda institucioneve tona duhet të merret një vendim se çfarë do të jetë përfaqësimi i Republikës së Kosovës në bisedimet e fazës përmbyllëse të dialogut me Serbinë dhe më pas ne do t’ia komunikojmë Brukselit edhe formatin, por edhe përmbajtjen e bisedimeve. Në fakt, siç e dini ka dy vjet që në i kemi paraqitur Bashkimit Evropian një dokument me ato që ne i konsiderojmë tema përmbyllëse në dialogun me Serbinë dhe ato tema fillojnë nga ajo e njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve, pastaj është demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pra midis dy shteteve, pastaj është çështja e kompensimit për dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës si dhe çështja e ndarjes së pasurisë sipas parimit të suksesionit në kontestin e shpërbërjes së ish – Jugosllavisë.

Radio Kosova: Zonja Tahiri, a keni një ide kur mund të zhvillohet takimi i radhës?
Edita Tahiri: Për takimin e radhës ende nuk kemi njoftime nga Bashkimi Evropian, mirëpo në Kosovë ishte javën e kaluar menjëherë pas lirimit të zotit Haradinaj, drejtoresha e BE për Ballkanin, Angelina Eichhorst, e cila qëndroi këtu për konsulta lidhur me përgatitjen e takimeve të ardhshme. Sidoqoftë, për momentin nuk kemi një datë konkrete.