Tahiri: Javën e parë të majit formohet qeveria e re, Isa Mustafa nuk do të jetë kryeministër

21.04.2020 16:20:32

Politologu, Ramush Tahiri thotë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk do të pranojë të jetë kryeministër i Kosovës në rast të koalicionit me AAK-në, Nismën dhe AKR-në, por bartës i këtij koalicioni si shef ekzekutivi do të jetë Avduallah Hoti.

Tahiri mendon se në javën e parë të muajit maj do të formohet qeveria e re, në krye me LDK-në.

“Është normale që LDK-ja si parti tradicionale ofertën e parë ia bën kryetarit të saj. Secila parti konkurron me kryetarin e saj. Duke parë parasysh gjendjen shëndetësore të kryetarit të LDK-së dhe angazhimet e tij në parti dhe moshën, nuk besoj që ai do të pranojë që të merr mandatin për themelimin e qeverisë. Jam i bindur që nuk do të pranojë duke e njohur edhe personalisht. Por partia do të shkojë në këto procedura. Unë besoj që kandidat serioz janë një mori emrash, por më seriozi është Avdullah Hoti”, thotë ai, për KosovaPress

Sipas tij, sinjalet e presidentit, Hashim Thaçi se do të anashkalojë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese janë legjitime.

“Presidenti po e zbaton vijën kushtetuese që vendi të ketë një qeveri të re të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës. Unë pres që qeveria e re e Kosovës të zgjedhjet gjatë javës së parë të muajit maj”, thotë ai.

Analisti politik adresoi akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në lidhje me qasjen e tij ndaj emisarit për dialog, Richard Grenell.

“Është mirë që një person i til lë po shkon nga skena politike, sidomos shtetërore. Në skenën politike varet prej votave që i merr dhe nuk do të kisha dëshiruar njerëz të tillë që qojnë mesazhe të tilla në ShBA përmes opinionit dhe vetëkënaqësisë që mund të deklarohet dhe të thonë diçka të mëdha. Por në rend të marrë është e papërgjegjshme dhe pa matur”, thotë ai.

Dje gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk e mohoi mundësinë që ai të jetë sërish kryeministër i Kosovës, por tash në një koalicion me ish partitë e PAN-it