Tahiri: Kemi shënuar progres në konsolidimin e institucioneve qendrore në veri

20.07.2016 10:02:59

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se është arritur progres në proceset për vendosjen dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore në veri të vendit në shumë fusha të rëndësishme, duke thënë se janë duke bërë përgatitje intensive për rrumbullakimin e këtij procesi.

Tahiri ka potencuar se si rezultat i marrëveshjeve të Brukselit, Qeveria e Kosovës do të vendosë sistemin unitar shtetëror të drejtësisë në veri të vendit të munguar për shumë vite.

Ajo po ashtu njoftoi se rreth 23 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale do të nisin veprimtarinë si dhe Zyrat e regjistrit civil dhe zyrat e gjendjes civile do të fillojnë punën për të pajisur qytetarët me dokumentet e shtetësisë së Kosovës dhe të gjendjes civile edhe në komunat veriore.

“Ministria për Dialog, Edita Tahiri ka vlerësuar se konsolidimi i institucioneve qendrore në veri të vendit të sfiduara që nga paslufta ka rëndësi vitale për shtetin e Kosovës sepse me këto procese po konsolidojmë dhe forcojmë sovranitetin shtetëror në këtë pjesë të vendit për të cilën Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e vendosur plotësisht. Ministrja për Dialog është duke e koordinuar procesin e realizimit të këtij procesi dhe përgatitjet po bëhen së bashku me gjithë institucionet kompetente si dhe dinamikat janë duke u zhvilluar në pajtim me planet për veprim, duke paralajmëruar se jemi në fazën finale dhe procesi po shkon drejt finalizimit”, thuhet në njoftim.

Ministrja Tahiri bëri me dije se, sipas Marrëveshjes së Brukselit, 23 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale, do të nisin veprimtarinë në veri të vendit shumë shpejt. Ndërkaq, procesi i integrimit të personave nga procesi i shuarjes së të ashtuquajturës “Mbrojtje civile” ka përfunduar.

Kontingjenti i fundit prej 50 personave kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet që i kanë integruar ata gjatë këtij muaji, në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç e përcakton marrëveshja e Brukselit.

Më herët, në janar të këtij viti janë integruar 328 persona, ndërsa në tetor të vitit të kaluar janë integruar 105 persona

“Në fushën e drejtësisë, sipas Marrëveshjes së Brukselit, do të vendoset një gjykatë themelore që do të veproj për shtatë komunat ashtu siç përcaktohet me Ligjin për gjykatat themelore të Republikës së Kosovës si dhe një zyrë prokurorie në bazë të ligjit përkatës, ndërkohë që procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe stafit administrativ është në fazën finale dhe po realizohet nga institucionet kompetente për fushën e drejtësisë në koordinim me Ministren e Dialogut. Vendosja e sistemit unitar të drejtësisë edhe në veri të vendit ka rëndësi strategjike për konsolidimin e sovranitetit shtetëror dhe të drejtësisë për gjithë qytetarët sepse një gjë e tillë ka munguar dhe Dialogu i Brukselit po tregohet një instrument i rëndësishëm që po ndihmon Kosovën dhe qytetarët e saj për forcimin e sovranitetit shtetëror në çdo cep të vendit, ku roli i BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë është vendimtar”, thuhet më tej në njoftim.

Një tjetër proces i rëndësishëm që po e zhvillojmë është procesi i vendosjes së Zyrave të Regjistrit Civil dhe Zyrave të Gjendjes Civile në katër komunat veriore, të cilat së shpejti do të fillojnë t’i pajisin qytetarët e këtyre komunave me dokumentet e shtetësisë, lejet e njoftimit dhe pasaportat e shtetit të Kosovës, pastaj patentë shoferët, certifikatat e lindjes si dhe me të gjitha dokumentet tjera të gjendjes civile.