Tahiri: Lojërat e Albin Kurtit janë të rrezikshme për shtetin

10.02.2018 18:50:56
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri teksa është shprehur i zhgënjyer me miratimet e rekomandimeve në Kuvendin e Kosovës, të propozuara nga Vetëvendosja, ka akuzuar kryetarin e kësaj parti, Albin Kurtin për lojëra të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

Në një intervistë, ministri Tahiri akuzon liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, që sipas tij, hyri në institucione vetëm për t’i përdorur ato për interesa të tij.

Tahiri ka thënë se rekomandimet e miratuara dje për aktivistët e VV-së kanë qenë anti-kushtetuese.

“Sipas procedurave të parapara me dispozitat e Rregullores së Kuvendit, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ndër të tjera duhet të shoh këto rekomandime para se të dalin në votim, aspekti i kushtetutshmërisë së tyre. Kjo procedurë e nuk është ndjekur ditën e djeshme, përkatësisht Komisioni për Legjislacion, nuk i ka shqyrtuar fare këto rekomandime”, ka thënë ai.

Tahiri më tej ka thënë se qëndrimi konstant i kryetarit të VV-së, Albin Kurtit kundër normave dhe parimeve të shtetit të Kosovës,

“Që prej themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje e deri më sot, këtë strukturë dhe konkretisht Albin Kurtin si drejtues të saj e ka karakterizuar trashëgimia e paligjshmërisë. Këtë trashëgimi ai e demonstroi edhe me mënyrën e inicimit të debatit parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes”.

“Kjo qasje e tij, nuk është absolutisht diçka aksidentale. Është shprehje e qëndrimit konstant të Albin Kurtit kundër normave dhe parimeve republikane të shtetit të Kosovës. Për të siç duket, më e rëndësishme se shteti, çdo herë ka qenë dhe është “sekti” i tij ideologjik. Nën emrin e manifestit të këtij sekti si dhe kultit të tij personal, Albini vazhdimisht i ka sulmuar institucionet shtetërore, sundimin e ligjit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri në një intervistë.

Më tej Tahiri po ashtu ka thënë se “institucionet shtetërore për të [Kurtin], janë vetëm një mjet më shumë. Kështu nëse deri para këtij akti këtë funksion e kryenin gurët, vezët, dëmtimi i pronës publike, protestat e dhunshme në rrugë, tash këtyre mjeteve u shtohet edhe një, Kuvendi i Republikës së Kosovës. Gjyqësori vazhdimisht ka qenë target i kësaj loje anti-insitutuciononale dhe anti shtetërore nga ana e Albin Kurtit. Kjo qasje shpalosë qëllimin e tij të vërtetë, që ta disfunksionalizoj sistemin juridik dhe instancat që kanë mandat kushtetues për ta ushtruar këtë detyrë, një strategji kjo tejet e rrezikshme për shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit dhe përpjekjet e vazhdueshme të të gjithë shoqërisë së Kosovës për një rend të mirëfilltë demokratik”, ka thënë Tahiri.