Tahiri: Xhamia e Ibrit do të ndërtohet, Rakiq t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës

22.07.2016 17:33:25

Ndërtimi i xhamisë në veri të lumit Ibër, ka nxitur pakënaqësi tek zyrtarët serbë në Kosovë.

Ka qenë kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ai i cili ka thënë se ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, nuk është e autorizuar për të vendosur për zgjidhjet urbane në veri të Kosovës. Sipas tij, ajo nuk pyetet lidhur me atë se a do të ndërtohet dhe ku xhamia në veri të Ibrit.

Lidhur me këtë deklaratë të Rakiqit, Tahiri ka thënë se është ai që duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Çështja e obligimeve shtetërore dhe e detyrave të secilit qeveritar, qoftë në nivelin qendror apo lokal, është çështje e shtetit të Kosovës dhe obligimeve për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës. Rakiq është kryetar i Komunës i zgjedhur me votat e qytetarëve në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe duhet të sillet si i tillë”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Tahiri ka shtuar se sa i takon zhvillimeve në pjesën veriore të vendit, çdo gjë duhet të bëhet duke respektuar në përpikëri Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Individët që janë në Qeveri janë zyrtarë, mirëpo çdo zyrtar duhet ta dijë se kur e ka marrë detyrën e ka marrë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve, prandaj ky është obligimi i Rakiqit: të respektojë ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën”, u shpreh Tahiri.

Ministrja ka theksuar se në vizitën e saj që pati në Mitrovicë, me kryetarin Agim Bahtiri dhe kryetarin e Bashkësisë Islame të kësaj komune, Asllan Murati, është diskutuar për heqjen e barrikadës nga Ura e Ibrit, si dhe ndërtimin e xhamisë së Ibrit. Tahiri theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie është i domosdoshëm dhe se do të ndodhë.

“Rivitalizimi i Urës së Ibrit është duke u vonuar nga BE, dhe meqenëse në afërsi të këtij plani është trolli i Xhamisë së Ibrit, një xhami e kohërave të hershme që nga shekulli XVII dhe e cila për shkak të gjenocidit serb është shkatërruar, natyrisht se rindërtimi i saj është i domosdoshëm. Me ligj i takon autoriteteve fetare dhe natyrisht që do të realizohet. Hapat ne i kemi përcaktuar në takim me kryetarin e Bashkësisë Islame të Mitrovicës dhe u pajtuam që së pari duhet të hiqet barrikada dhe kur të përfundojë ky proces t’i hapet rruga edhe ndërtimit të kësaj xhamie”, theksoi ministrja.