Tahiri: Zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë hap rrugën për Asociacionin

25.07.2016 16:38:16

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në takimin që sot ka pasur me shefin e ri të zyrës politike dhe ekonomike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Steve Banks dhe zëvendësen e tij Mary Glantz, është shprehur se arritjet historike të shtetit të Kosovës janë të lidhura ngushtë me SHBA-të.

Ajo ka thënë se SHBA-të janë dhe mbeten aleati strategjik në realizimin e vizionit për një Kosovë euroatlantike.

Në njoftimin e zyrës së Tahirit, thuhet se sa i përket dialogut të Brukselit dhe zbatimit të marrëveshjeve, ministrja shprehu përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të dhe ambasadën amerikane në Kosovë, duke vlerësuar lartë rolin e SHBA-ve për dialogun për fqinjësi të mirë mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së.

Ministrja në vazhdim tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për vendosjen e sistemit shtetëror të drejtësisë në veri të vendit si dhe së shpejti do të vendosen edhe një numër i madh i ministrive dhe agjencive në atë pjesë të vendit, thuhet në njoftim.

“Këto janë zhvillime pozitive në drejtim të shtrirjes dhe konsolidimit të sovranitetit shtetëror në veri të vendit të munguara për një kohë të gjatë dhe kjo po arrihet në saje të dialogut të Brukselit për fqinjësi të mirë”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri, teksa ka përmendur bllokadën që Serbia po e bënë sidomos në lidhje me marrëveshjen për kodin shtetëror telefonik për Kosovën, marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT) dhe vonesat në heqjen e barrikadës nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, duke theksuar rëndësinë e angazhimeve diplomatike për zhbllokimin e këtij procesi.

Sipas njoftimit, ajo shtoi se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë hap rrugën për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Nga ana tjetër, diplomati amerikan Steve Benks, citohet të ketë thënë se “SHBA-të mbështesin perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe dialogun e Brukselit si një proces që po ndihmon paqen dhe sigurinë në rajon dhe po e ndihmon Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe bashkësinë euroatlantike”.