Takime koordinuese në Shkup e Athinë, pritet zgjidhja e çështjes së emrit

27.01.2018 15:34:11
Në Shkup dhe Athinë po zhvillohen takime koordinuese mes kryeministrave dhe liderëve të partive politike për emrin.

Në Shkup rreth orës 18.00 kryeministri Zoran Zaev bashkë me shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov, dhe zv/kryeminstrin Bujar Osmani, do të takohen me presidentin e vendit Gjorge Ivanov, liderin e BDI-së Ali Ahmeti si dhe atë të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

Në takim pritet që Zaev të i informojë liderët e partive përkatëse dhe presidentin e  vendit rreth propozimeve të ofruara nga ndërmjetsusi i OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic dhe takimin me kryeministrin grek Aleksis Cipras, shkruan Alsat M.

Kryeministri grek Aleksis Cipras, gjithashtu po zhvillon takime koordinuese për të arritur konsensus nacional për emrin në Greqi. Dje ai takoi kabinetin e tij qeveritar, liderin e partnerit të koalicionit, liderit të partisë “Grekët e pavarur”, Panos Kamenos, si dhe presidentin e Greqisë Prokopis Pavlopulos. Ndërkaq sot ai takoi liderin e partisë më të madhe opozitare, Liderin e “Demokracisë së re”, Kyrioakos Micotakis dhe në rrjedhë janë takimet e veçanta me liderët e parive të tjera.

Ndryshe ndërmjetësi Nimic javën e ardhshme do të qëndrojë në Shkup dhe Athinë për të kuptuar qëndrimet e dy palëve për propozimet e ofruara në raundin e fundit të negociatave në Nju Jork.