Takimi me komisionerin për zgjerim/ Negociatat, Meta: Shpresojmë që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me KE

08.12.2016 11:57:40

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit dje në Bruksel nga Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, ku në qendër të takimit ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë.

Nga ana e tij kryeparlamentari shqiptar i shprehu mirënjohjen eurokomisionerit për punën e palodhur të Komisionit Evropian në hartimin e progres-raportit të fundit për Shqipërinë si dhe për rekomandimin pozitiv në mbështetje të çeljes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian. “Shqipëria shpreson që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me Komisionin, gjatë mbledhjes së tij të ardhshme gjatë këtij muaji”, theksoi Meta. Në lidhje me reformen ne drejtesi, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se konsensusi ishte kyç për legjitimitetin e reformës dhe se Kuvendi mbetet tërësisht i angazhuar për avancimin me implementimin e saj pa vonesa gjatë javëve në vazhdim. Komisioneri Hahn tha se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në përmbushjen e prioriteteve dhe falënderoi Kryetarin Meta për mbështetjen e tij të vazhdueshme gjatë miratimit konsensual në Kuvend dhe në fazën e zbatimit me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë. “Suksesi i reformës së drejtësisë dhe ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri do të prodhojë lajme të mira për gjithë rajonin e Ballkanit, i cili ka nevojë për momente pozitive’, pohoi Hahn.

Takimi me Shculz

Po ashtu në Bruksel kryeparlamentari shqiptar u prit edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ku u vlerësua progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Nga ana e tij Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Parlamentit Evropian ndaj avancimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit, duke nënvizuar se kjo perspektivë i shërben paqes e stabilitetit rajonal, dhe veçanërisht sigurisë mbarë-evropiane. Ndërkohë  Presidenti i Parlamentit Evropian,pasi vlerësoi progresin e Shqipërisë në avancimin e saj drejt hapjes së bisedimeve me BE-në, e falënderoi Kryetarin Meta për rolin e tij në shërbim të stabilitetit e dialogut të brendshëm politik si dhe në interes të marrëdhënieve të mira në rajon.  “Mungesa e bashkëpunimit politik dhe polarizimet e panevojshme në skenën e brendshme politike shqiptare, dëmtojnë integrimin e vendit”, pohoi ai. Në të njejtën linjë Meta u shpreh se stabiliteti i vendeve të Ballkanit dhe integrimi i tyre në BE frymëzon ndryshime thelbësore politike e sociale në secilin vend, ndaj është e rëndësishme që perspektiva evropiane e tërë rajonit të jetë e qartë dhe e sigurt. “Kuvendi do vazhdojë të mbështesë fort e pa vonesa zbatimin e reformës kyçe në drejtësi’, tha Meta, duke shprehur mirënjohjen për mesazhet inkurajuese të Presidentit Schulz gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë si dhe për kontributin e vyer të eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan. Në përfundim, Meta dhe Schulz biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian, duke vënë theksin në mbështetjen, që u duhet ofruar të rinjve shqiptarë në rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale dhe në eksperiencën që mund të përfitojnë në institucionet e Parlamentit Evropian. “Shqipëria mbështetet në përkrahjen tuaj dhe të Parlamentit Evropian për të avancuar perspektivën evropiane të tërë Ballkanit”- deklaroi kreu i Kuvendit.