Takimi Rama-Merkel, Bushati: “Vetting”-u, thelbësor për negociatat

28.11.2016 21:19:46

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati përmes një statusi të postuar në faqen e vet zyrtare në Facebook, e ka cilësuar takimin Rama-Merkel në Berlin, konfirmim të progresit të bërë nga Shqipëria në rrugën e reformave demokratizuese dhe anëtarësimin në BE.

Sipas Bushatit, tashmë zbatimi i menjëhershëm i ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve.

Postimi i plotë i Bushatit në FB

Takimi në Berlin mes Kancelares Angela Merkel dhe Kryeministrit Edi Rama konfirmoi progresin e qenësishëm që ka bërë vendi ynë në rrugën e vështirë të reformave demokratizuese dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Siç konfirmon Raporti i Komisionit Europian shoqëruar me rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, zbatimi i menjëhershëm i ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë që puna e nisur me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe prirja pozitive e tre viteve të fundit konfirmuar në vlerësimet e Komisionit Europian duhet të vijojë me ritëm të pandërprerë.

Tanimë shpresoj që për këdo të jetë e qartë ecuria, metodologjia, kriteret, pritshmëritë dhe kushtëzimet demokratike të këtij procesi, përfshirë edhe Partinë Demokratike. E cila mund ta dëshmojë mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo fjalësh boshe. Duke ndaluar fletë-rrufetë që ushqejnë lloj-lloj të pavërtetash nëpër kryeqytetet kryesore të Europës. Duke zhbllokuar ligjin e vettingut. Duke u përfshirë në një proces të njëmendtë për zbatimin e arkitekturës së re në drejtësi. Duke mos u bërë njësh kësisoj me sindikatën e drejtësisë.

Ky moment është gjithashtu test për pjekurinë tonë politike. Për të ndarë një herë e mirë interesin meskin nga objektivi kombëtar dhe aspirata e përbashkët europiane.